Prezantohet kandidati i PD-së në Shkodër/ Basha kërkon të votohet për Xhemal Bushatin

19/02/2022 15:47

Kryedemokrati Lulzim Basha, fushatën elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit e nisi nga Shkodra.

“Xhemal Bushati ka qenë përherë këtu, në mesin tuaj, si për familjen e vet, për çdo shkodrane dhe për çdo shkodran. Ai është pjesë e Shkodrës, ndaj e them me zemrën plotë e duke iu parë në sy, jam krenar që është kandidati i Partisë Demokratike për Shkodrën. Partia Demokratike ka një borxh të madh ndaj Shkodrës, ka një borxh të madh që nuk ia ka shlyer Shkodrës për aq sa Shkodra i ka dhënë, unë jam i bindur se Shkodra do të votojë Partinë Demokratike të Shqipërisë, sepse siç iu thashë, shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha, nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet. Xhemal Bushati është kandidati i Partisë Demokratike. Dhe nga unë i pari, zotohem që këtë besim të madh të shkodranëve, këtë borxh të pashlyer, ta kthejmë në një politikë së pari me një fytyrë njerëzore, si fytyra, si shpirti i Xhemal Bushatit, me një fytyrë të pastër”, u shpreh Basha.

Vizioni im për Shkodrën tha kandidati Xhemal Bushati është Emergjencë/ Shërbejmë sot/ Projektojmë për nesër.

Përmirësimi i infrastrukturës, sinjalistikës dhe qarkullimit rrugor në Shkodër, disiplinimi dhe sistemimi i tij, është një nga prioritetet ku plani i emergjencës do të zbatohet duke drejtuar efektivisht burimet njerëzore dhe mirëmenaxhuar ato financiare. Emergjenca për një qytet më të pastër dhe mbetje e kanalizime të sistemuara, kërkon dhe do të ketë ndërhyrjen e menjëhershme në menaxhim, dhe vendimmarrje të përbashkët. Rishikim, rishpërndarje dhe korrigjim të buxheteve në ato sektorë ku janë adresuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, duke i ardhur në ndihmë e mbështetjen qytetareve ne nevojë”, tha Xhemal Bushati.

Top Channel