Partizani-Vllaznia është një ndër sfidat më interesante të javës së 21-të të Superiores.
Përtej etiketimit si një klasike e futbollit shqiptar për emrat dhe historinë, në fushë përballen dy skuadra që vijnë në rritje, në kërkim të vazhdimësisë në një test mjaft të rëndësishëm për ecurinë e këtij sezoni.
Vllaznia luan në “Air Albania” në entuziazmin e fitores 4-2 ndaj Teutës, me skuadrën e Thomas Brdaric që në 5 ndeshjet e fundit mes Kupës e Kampionatit ka koleksionuar 4 suksese dhe vetëm një humbje. Në kampin shkodran po shfaqet gjithmonë e më shumë lider Liridon Latifi që në mungesë të golave të sulmuesve po mban peshën e repartit, pasi shënoi edhe një dygolësh në sfidën ndaj bregdetarëve.
Për Vllazninë, 13 pikë larg kreut, çdo sfidë është një tren i fundit për të mos u humbur për të mbajtur gjallë shpresat për titull dhe aq më tepër kjo, përballë një Partizani që me Dritan Mehmetin ka bërë mjaft mirë dhe kërcënon në klasifikim pikërisht formacionin shkodran.
Të kuqtë pas 3 fitoreve radhazi në Kupë e kampionat, kanë gjetur vetëbesimin duke u shfaqur solidë, meritë pa dyshim edhe e Xhuliano Skukës, autor i dygolëshit të një përmbysjeje karakteri ndaj Skënderbeut, ndëshkues i Dinamos në sfidën e Kupës, ku me golin e tij i siguroi “të kuqve” gjysëmfinalet duke shënuar brenda pak javëve 5 gola me fanellën e kuqe.
Pikërisht ish sulmuesi i Dinamos përbën shqetësimin kryesor për Dritan Mehmetin. Skuka luajti i lënduar ndaj Skënderbeut dhe është në dyshim, me trajnerin që pret për të parë nëse do të jetë gati në këtë përballje deri në momentin e fundit. Megjithatë Partizani nuk është vetëm Skuka, skuadra pas merkatos së janarit ka fituar më shumë krijimtari dhe efikasitet në sulm dhe përballë Vllaznisë që luan një futboll të bukur, pritet një takim i mirë edhe për estetikën, si një përplasje mes dy skuadrave që dinë të dhurojnë futboll.
Top Channel