Top Talk/ PDK mbështet Ballkan e Hapur, si një mundësi alternative ndaj bllokimit të procesit të integrimit në BE

18/02/2022 18:38

Nënkryetari i parlamentit të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Partia Demokratike e Kosovës e mbështet nisën Ballkani i Hapur.

I ftuar në emisionin Top Talk në Top Channel, drejtuar nga Denis Dyrnjaja, ai theksoi se është një mundësi alternative ndaj bllokimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Frika në Kosovë për Ballkanin e Hapur është që mund të izolojë Kosovën. Ose duhet të shtyjmë dialogun me një shpejtësi të madhe dhe në 2022-shin të mbyllet dhe tema të jetë njohja e ndërsjellë ose duhet të themi po bashkëpunimit rajonal. Kryeministri Kurti i tha jo Ballkanit të Hapur, jo procesit të Berlinit, jo dialogut Kosovë-Serbi edhe frika ime është se mund të krijohet një rajon ku mund të jenë dy shpejtësi, Serbi- Shqipwri- Maqedoni, Bosnja e Kosova, ndërsa malazezët nuk e mbështesin se mendojnë se nuk duhet të riintegrohemi me këto vende. Kosova ka mbetur e bllokuar për shkak të viteve të korrigjimit të kufirit, manipulimit të opinionit publik. Ne duhet të shkojmë në negociata, koordinim të ngushtë me amerikanët dhe të mos hyjmë në një debat . Kurti duhet të ketë vullnet, vizion se është zgjedhur me një mbështetje të madhe nga populli. Kurti ka pasur aftësi të veçantë për të manipuluar popullin me temën e dialogut. Unë e di se për çfarë qëndron PDK, partnerët tanë amerikanë. Duhet vullnet unitet, koordinim brenda në Kosovë, me Tiranën”, tha Hoxhaj.

Kujtojmë se Kosova festoi 14-vjetorin e pavarësisë një ditë më parë, ndërsa krerët e shtetit uruan dhe u zotuan për më shumë punë në të mirë të qytetarëve.

Në ditën kur supozohej që të gjithë së bashku të shënjonin përvjetorin e pavarësisë, ndërhyri sërish politika, ku gjatë  fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën solemne të pavarësisë opozita u largua nga salla.

Top Channel