“Shtatë rrugët e Putinit”, inteligjenca britanike publikon hartën e “pushtimit”

18/02/2022 13:13

Një hartë e publikuar nga Ministria britanike e Mbrojtjes  thuhet se tregon rrugët që presidenti Vladimir Putin mund të urdhërojë trupat e tij të marrin në rastin e një sulmi ndaj Ukrainës.

Harta e shpërndarë në llogarinë zyrtare të kësaj ministrie në Twitter tregon dy faza të mundshme – ‘lëvizja tokësore e fazës së parë’ dhe ‘lëvizja tokësore e fazës së dytë’ .

Përditësim i të dhënave të Inteligjencës: Rusia ruan një prani të konsiderueshme ushtarake që mund të kryejë një pushtim pa paralajmërim të mëtejshëm”, thuhet në postimin shoqërues në Twitter.

Sipas  mediave të huaja, harta rrëqethëse tregon se sa reale është mundësia e pushtimit.

Ajo publikohet pasi Britania e Madhe dhe SHBA e akuzuan Rusinë për rritjen e forcave të saj në kufirin ukrainas me deri në 7000 ushtarë të tjerë, çka bie ndesh me pretendimet e Kremlinit se ka filluar tërheqjen e disa forcave nga ajo zonë.

Imazhet e reja satelitore zbuluan njësi të artilerisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, duke sugjeruar se këto pretendime të Moskës ishin vërtet të rreme.

Edhe pse disa imazhe kanë treguar se Rusia ka tërhequr disa pajisje ushtarake nga afër Ukrainës, ato duket se tregojnë në të njëjtën kohë se në zonë kanë mbërritur ushtarë dhe pajisje të tjera.

Për çdo rast, Rusia ka ende shumë trupa dhe mjete pranë kufirit me vendin fqinj, të mjaftueshme për një mësymje madhore të tij.

Top Channel