Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një takim me homologun shqiptar Edi Rama në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Siç informojnë burimet qeveritare në tryezën e këtij takimi është diskutuar gjithë spektri i marrëdhënieve dypalëshe, ku Mitsotakis ka theksuar “mbështetjen e vendosur të Athinës për perspektivën dhe ecurinë europiane të Shqipërisë në përputhje me termat dhe kushtet e procesit të anëtarësimit.”
Por gjithashtu lideri grek i është referuar demarkacionit të zonave detare mes dy vendeve dhe ka theksuar se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ashtu siç kanë rënë dakord të dyja palët, do t’i çojë më tej dhe do të konsolidojë marrëdhëniet e mira fqinjësore, por edhe sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon.
Mitsotakis i cili gjatë muajit shkurt ka zhvilluar takime me liderët ballkanike si kryeministrin e Kroacisë, presidentin e Malit të Zi apo edhe presidentin e Serbisë , është takuar gjithashtu në Mynih edhe me kryeministrin e Maqedonisë se Veriut Dimitar Kovacevski, atë të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidenten kosovare Vjosa Osmani ,ndërsa ka dëgjuar prej dy liderëve kosovare, kërkesën e tyre që Greqia të njohë Kosovën.
Top Channel