Pamjet Ekskluzive/ Qindra persona përjetojnë tmerrin kur trageti që udhëtonte drejt Italisë merr flakë

18/02/2022 19:57

Top Channel ka siguruar pamjet ekskluzive të personave që ndodheshin në bord kur trageti që udhëtonte nga Greqia drejt Italisë u përfshi nga flakët.

Pamjet janë filmuar nga një shqiptar që u shpëtua dhe tashmë ndodhet në Korfuz. Qindra vetë arritën të shpëtoheshin nga flakët që përfshinë tragetin me të cilin udhëtonin nga Greqia drejt Italisë orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Pamjet e transmetuara nga mediat greke treguan mjetin 183 metra të gjatë të pushtuar nga zjarri dhe shtëllungat e mëdha të tymit, ndërsa në altoparlantë buçisnin thirrjet për ndihmë.

Roja bregdetare greke sqaruan se në bordin e “Euroferry Olympia” me flamur Italian kishte 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Shumica e tyre u arrit të kalonin në varkat e shpëtimit dhe të transferoheshin në portin e Korfuzit.

Aktualisht nuk ka raporte për vdekje apo lëndime. Një person më probleme në frymëmarrje nga tymi u dërgua në spital.

Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.

Kur ra zjarri, anija ishte në ujerat greke por rrymat e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare, duke bërë që tashmë të gjendet vetëm pak milje nga brigjet tona. Flakët shpërthyen pikërisht kur trageti ishte në afërsi të ishullit të Korfuzit në detin Jon.

“U zgjuam të tmerruar rreth orës 4:20 të mëngjesit. Brenda një ore ne ishim larguar nga anija… Na shpëtoi ekuipazhi, i cili veproi shpejt”, tha një nga pasagjerët për TV Skai përmes telefonit. Trageti është pjesë e flotës së grupit Grimaldi Lines dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.

Zëdhënësi i Grimaldi Lines, Paul Kyprianou i tha Reuters se shkaku i zjarrit ishte ende nën hetim, ndërsa dëmet e shkaktuara sipas tij janë të rënda, sepse pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit, ka qenë e pamundur që flakët te shuheshin.

Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojes bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza-s.

Në vitin 2014, 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA