IuteCredit blen 59.7% të aksioneve në bankën moldave Energbank

18/02/2022 14:29

Grupi lider europian në fushën e financave personale, IuteCredit Europe, i pranishëm edhe në Shqipëri me institucionin financiar IuteCredit Abania, po vijon me planet e tij strategjike të zgjerimit. Grupi me qendër në Talin të Estonisë ka finalizuar blerjen edhe të 49.7% të aksioneve të tjera të bankës moldave Energbank.

IuteCredit njoftoi se ka paguar 8.3 milionë euro për të blerë paketën me 994,645 aksione. Në muajin janar, IuteCredit kishte blerë edhe 9,976% të kuotave, që korrespondojnë me 199,519 aksione, për një çmim total prej 1.7 milionë eurosh. Në përfundim të blerjes në dy etapa, tashmë IuteCredit zotëron 59.7% të aksioneve të Energbank.

Me miratimin e blerjes së paketës së aksioneve nga Banka Qendrore e Republikës së Moldavisë, IuteCredit po punon drejt një tranzicioni të shpejtë dhe të rregullt të pronësisë dhe kontrollit operacional të bankës. IuteCredit planifikon të fitojë pronësinë e plotë mbi Energbank, duke blerë aksione të tjera me kushtet e tregut.

“IuteCredit po lëviz në drejtim të transformimit drejt një banke moderne të modelit të teknologjisë financiare (fintech), me shërbim të shpejtë dhe të leverdisshëm për publikun. Pas blerjes, ne planifikojmë të integrojmë bankën me Grupin IuteCredit, të përshtasim zgjidhjet tona teknologjike inovative dhe t’i bëjmë të gjitha shërbimet bankare të disponueshme në një smartphone,” tha Tarmo Sild, Drejtor i Përgjithshëm (CEO) i Grupit Financiar IuteCredit.
Akan Ajdini, Drejtor i Përgjithshëm i IuteCredit Albania, tha se blerja e Energbank është një sinjal për pozicionimin e kompanisë në një të ardhme të afërt.

“Pas marrjes së licencës për paranë elektronike nga Banka e Shqipërisë, për ne si IuteCredit Albania kjo është një shenjë se ku synojmë të jemi në të ardhmen e afërt, duke u shndërruar nga një institucion i kredive të vogla te shpejta dhe komode në një bankë moderne fintech, ku marrja e kredive dhe kryerja e pagesave bëhen në pak sekonda dhe nga aparati celular,” tha ai.

Rreth IuteCredit Europe:

IuteCredit është një kompani lider europiane e financave personale, e themeluar në vitin 2008. Grupi është i specializuar në ofrimin e kredive të shpejta konsumatore nëpërmjet filialeve të veta, duke përdorur njëkohësisht kapitalet e veta dhe huamarrjen në tregjet financiare. IuteCredit u shërben klientëve aktualisht në Moldavi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe në Bosnje- Hercegovinë.

Produktet e kredisë së IuteCredit janë kredi konsumatore të pagarantuara me kolateral, me afat maturimi nga 1 muaj deri në 48 muaj, si edhe kredi të garantuara për blerjen e automjeteve, me afat maturimi deri në 72 muaj. IuteCredit operon me rrjetin e vet të ATM-ve, i cili përdoret përmes aplikacionit për smartphone.
Misioni i IuteCredit është të krijojë përvojë të jashtëzakonshme në financat personale, duke tejkaluar pritshmëritë e klientëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA