Që nga fillimi i javës, Rusia ka deklaruar vazhdimisht se kishte tërhequr një pjesë të trupave ushtarake që kishte grumbulluar më parë në kufi me Ukrainën. Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe evropiane bëjnë të ditur se tërheqja e supozuar e ushtrisë ruse nuk është faktuar, ndërsa imazhet satelitore të publikuara nga mediat perëndimore tregojnë se Rusia ka shtuar praninë e forcës së saj në kufi me Ukrainën dhe se është gati për të realizuar një pushtim përmes rrugëve tokësore.

Pamjet e publikuara në media vijnë nga Maxar, një kompani me bazë në Kolorado, SHBA. Javët e fundit kjo kompani ka mbajtur nën vëzhgim territoret në kufi me Ukrainën, pjesa e Rusisë, por më shumë vijën kufitare në Bjellorusi, ku dhe ushtria ruse është e angazhuar prej disa ditësh në një stërvitje së bashku me ushtrinë bjelloruese.

Një nga imazhet që ka qarkulluar më shumë në rrjetet sociale, veçanërisht mes analistëve të mbrojtjes dhe sigurisë, ka të bëjë me një spital të ri fushor të ndërtuar ditët e fundit në Bjellorusi pranë qytetit Osipovichi, rreth 300 kilometra larg në vijë ajrore me kufirin ukrainas.

Ndërtimi i këtij spitali mund të jetë pjesë e stërvitjes ose mund të shërbejë edhe si tregues, në rast të shpërthimit të luftës, ku të plagosurit do të kenë mundësi të priten aty”, komentoi gazetari Frank Gardner, i cili merret me çështjet e sigurisë. Foto e publikuar nga Maxar është realizuar të hënën, më datë 14 shkurt, ndërsa spitali fushor është struktura e nënvizuar me ngjyrë të kuqërremtë.


Një tjetër imazh i shumë komentuar tregon një urë të lëvizshme e cila është ndërtuar mbi lumin Pripyat, disa kilometra nga kufiri Ukrainë-Bjellorusi. Ura është mjaft e gjerë dhe mund të jetë ndërtuar për të transportuar automjete ushtarake, por reporteri i Sky News, Jack Taylor, i cili është një ekspert në analizën e të dhënave, mendon se “nga imazhet e satelitore të marra më datë 15 shkurt, është tepër e vështirë të kuptohet nëse ura ishte ndërtuar vetëm si pjesë e stërvitjes”.


Dy imazhe të tjera tregojnë se Rusia po grumbullon me dhjetëra automjete ushtarake në kufi, si edhe trupa. Në bazën bjelloruese të Brestskit, në kufi me Ukrainën, por edhe me Poloninë, kanë mbërritur mjete ushtarake që duket se po montojnë një artileri të rëndë.


Gjithashtu në Bjellorusi në bazën e Forcave Ajrore Zyabrovka, disa dhjetëra kilometra larg kufirit ukrainas, rreth njëzet helikopterë luftarakë u fotografuan me 16 shkurt. Analistët mendojnë se një pushtimi tokësor i Ukrainës nga ushtria ruse, mund të paraprihet nga një sulm ajror.


Duke iu referuar imazheve të tjera të publikuara nga Maxar, Reuters flet për një rritje të aktiviteteve ushtarake edhe në Krime, një gadishull që më parë ishte pjesë e Ukrainës, por që në vitin 2014 u pushtua nga rusët.

Megjithatë, shumë analistë, mendojnë se duhet pasur kujdes kur komentohen imazhe të tilla.

Top Channel