Shpërthimet që janë raportuar gjatë 48 orëve të fundit në Ukrainën Lindore, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cilëson provokime të rreme për të justifikuar “agresionin” e mëtejshëm të Rusisë ndaj ish-vendit sovjetik.
“Gjithçka që po shohim është pjesë e një skenari për krijimin e provokimeve të rreme, që ne t’u përgjigjemi dhe më pas të nisë agresioni i ri kundër Ukrainës”, tha Blinken.
Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon t’i quajë akuza deklaratat e Perëndimit, se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën. Sipas tij, këto komente e kanë përkeqësuar situatën në kufi.
“Aktualisht, shohim një përkeqësim të situatës në Ukrainën lindore. Stërvitjet janë thjeshtë ushtrime në natyrë që nuk kërcënojnë askënd”, tha Putini.
Rusia ka mbajtur stërvitje masive ushtarake pranë kufijve të Ukrainës javët e fundit, ndërsa udhëheqësi rus ka njoftuar se të shtunën do të mbikëqyrë personalisht stërvitjet ushtarake, të cilat do të përfshijnë lëshimin e raketave balistike.
Udhëheqësi separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin bëri thirrje që qytetarët të largohen nga zona, pasi sipas tij Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, së shpejti do të japë urdhër që ushtarët të sulmojnë.
“Gratë, fëmijët dhe të moshuarit duhet të evakuohen fillimisht. Ikja e përkohshme do të mbrojë jetën dhe shëndetin tuaj dhe të të afërmve tuaj”, u shpreh Pushilin .
Qendra e përbashkët e komandës ukrainase u shpreh se rebelët shkelën armëpushimin mesnatën e së premtes, ndërsa grupet separatiste të Donetsk dhe Luhjansk thanë se ushtria kishte qëlluar në mëngjes.
Pas shpërthimeve që u raportuan të premten, Kievi dhe Uashingtoni akuzuan Rusinë se po kërkon të provokojë incidente për të justifikuar një pushtim të mëvonshëm.
Rusia nga ana e saj ka mohuar një plan të tillë, ndërsa pretendon se po tërheq trupat, pas përfundimit të stërvitjes.
Teksa forcat ruse kanë rrethuar fqinjët, me armatime të rënda, ekziston frika se Ukraina do të përfshihet në një përplasje që Rusia mund ta përdorë si pretekst për pushtim.
Top Channel