“Bindet” Gjermania, dërgon avionë luftarakë në Rumani

18/02/2022 15:41

Tre avionë luftarakë Eurofighter të Forcave Ajrore Gjermane mbërritën në një bazë pranë qytetit të Konstancës në Rumani, si pjesë e një dislokimi që po bëhet në krahët lindorë të NATO-s në mesin e tensioneve të përshkallëzuara në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Eurofighter-ët gjermanë dhe afërsisht 60 ushtarë do të bashkohen me forcat italiane dhe rumune për misione të zgjeruara patrullimesh nga ajri përgjatë tre javëve të ardhshme.

Forcat ajrore gjermane drejtuan në 2021-shin disa misione të ngjashme së bashku me forcat ajrore britanike në Rumani.

Avionët do të vendosen në bazën Mihail Kogalniceanu pranë Detit të Zi, ku një skuadrilje Stryker prej 1,000 anëtarësh të shërbimit amerikan u zhvendos në fillim të këtij muaji nga Vilsecku i Gjermanisë.

Skuadrilja iu shtua 900 ushtarëve që Uashingtoni ka aktualisht me rotacion në Rumaninë që kufizohet me Ukrainën në veri.

Në fillim të kësaj jave NATO-ja u kërkoi krerëve të saj ushtarakë të hartojnë plane për grupe të reja beteje në Europën Qendrore dhe Juglindore, pasi e akuzoi Moskën se në vend që t`i tërheq trupat siç pretendon, ka dërguar edhe më shumë forca në rajonet kufitare.

Mësohet tani se  katër njësi të reja të NATO-s me gjithsej rreth 4,000 trupa mund të qëndrojnë në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki në atë që do të ishte ndryshimi më i madh në pozicionimin ushtarak të aleancës, që kur ajo zhvendosi trupa në rajonin e Balltikut dhe në Poloni pas  aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014-tën.

Top Channel