Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar se Rusia mund të kërkojë vetëm një pretekst për të sulmuar Ukrainën, e ndoshta po e gjen. Provokimet e forcave ukrainase në Donbas janë intensifikuar këto 24 orët e fundit, thotë zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, sipas të cilit “situata në kufi mund të përflaket në çdo moment”.
Pretendimeve të ushtrisë ukrainase se forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore kanë qëlluar me mortaja mbi fshatin Stanytsia Luhanska, Moska nuk iu përgjigj.
Por ndërkohë e akuzon Ukrainën për gjenocide kundër rusisht-folësve. Një komision hetimor në Rusi thotë se në rajonin e Donbasit janë gjetur varre masive me trupat e qindra civilëve, për të cilët thotë se janë vrarë nga bombardimet ukrainase.
“Komiteti po heton dhe po merr të gjitha masat që personat përgjegjës për krimet e kryera në zonat e Donetskut dhe Luhanskut, të mos mbeten pa ndëshkuar”, thuhet në deklaratë.
Njoftimi erdhi një ditë pasi presidenti Vladimir Putin deklaroi se në këndvështrimin tonë “ajo që po ndodh në Donbas, është gjenocide dhe pretendoi se në Ukrainë ka pasur “shkelje masive e të drejtave të njeriut”.
Zëdhënësi i DASH, Ned Price tha se pretendimet e Putinit për gjenocide në lindje të Ukrainës, apo të tjerat sipas të cilave Uashingtoni dhe Kievi po zhvillojnë armë kimike ose biologjike për t`i përdorur në rajon, janë krejtësisht të pavërteta.
Top Channel