Policia ka sekuestruar 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara, letra për përgatitjen e kartëmonedhave dhe një apart celular.
Në njoftimin për mediat, thuhet se u arrestua edhe një 53-vjeçar, me leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Nga i njëjti burim mësohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë në vendin tonë, dyshohet se do të hidhte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Policia thotë se sekuestrimi i këtyre kartmonedhave të falsifikuara dhe materialeve të tjera erdhi si rezultat i operacionit policor të koduar “Lastra”, nga Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Mësohet se gjatë kontrollit nga policia, në bagazhet e 35-vjeçarit u gjet një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).
Policia thotë se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.
Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”.
Top Channel