Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg këtë të enjte deklaroi se Rusia mund të përdorë një pretekst për të jusitifikuar përdorimin e forcës kundër Ukrainës.
“Ne jemi të shqetësuar se Rusia po përpiqet të krijojë një pretekst për të justifikuar një sulm të armatosur kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ai u shpreh se Rusia ka grumbulluar një forcë të madhe ushtarake, ndoshta më të madhen që kemi parë në Evropë për dekada të tëra, e cila është vendosur në Ukrainë dhe rreth saj.
“Ne kemi vënë re një përpjekje për të organizuar një sulm të rremë, me qëllimin për të gjetur një justifikim për pushtimin e Ukrainës”, tha shefi i NATO-s.
Sipas tij, krijimi i një sulmi ushtarak me flamur të rremë, tregon se njëra palë organizon ose sajon një sulm ushtarak kundër palës tjetër, me qëllim që të justifikojë përdorimin e forcës, nën pretekstin e hakmarrjes.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të çtensionojë situatën, të tërheqë forcat ushtarake dhe të angazhohet në dialog”, theksoi Stoltenberg.
“Ne nuk mund të pranojmë një kthim në kohën kur fuqitë e mëdha ngacmojnë, frikësojnë ose diktojnë vendet e tjera”, tha ai në konferencë për mediat.
Stoltenberg tha se NATO po shqyrton dërgimin e “trupave ushtarake” në Rumani dhe juglindje të territorit të aleancës.
“NATO duhet të përgjigjet kur shohim veprime agresive nga Rusia”, tha ai, ndërsa bëri thirrje për dialog dhe çtensionim të situatës nga Moska.
Top Channel