Konstitucionalistja Aurela Anastasi e ftuar në studion e Open mbrëmjen e sotme foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mos shkarkimin e Metës.
Anastasi e sheh absurd këtë vendim pasi nuk është bazuar në argumente.
“Unë jam shumë e paqartë se nuk e di si e ka dhënë Gjykata këtë vendim. A është vendim i shkurtuar? Ndoshta, por nuk e thotë. Gjykata Kushtetuese duhet të japë shembull për gjykatat e tjera. Nuk kemi një vendim të arsyetuar. Ne mund të arsyetojmë si të duam. Nuk kemi para argumentat e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi duhet të shpallet i arsyetuar. Se ky nuk është një vendim që erdhi me urgjencë. As vetë gjykata nuk e di se kur do e japë vendimin. Thotë do të jepet sipas afateve ligjore”, tha ajo.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e shkarkojë presidentin Ilir Meta.
Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.
Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.
Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.
Top Channel