Gjermania ka miratuar një plan të ri për lehtësimin gradual të kufizimeve të vendosura për të frenuar koronavirusin e ri (COVID-19) gjatë katër javëve të ardhshme.
Kancelari Olaf Scholz e bëri njoftimin pas një video-konference me kryeministrat e 16 vendeve federale të vendit.
“Ne mund të vazhdojmë përpara me më shumë besim”, tha Scholz në një konferencë për media, duke theksuar se masat kanë qenë efektive në vënien nën kontroll të pandemisë.
Ai tha se Gjermania e ka kaluar kulmin e valës së llojit Omicron të koronavirusit.
“Ne jemi pajtuar për lehtësimin gradual të shumicës së masave të koronavirusit në Gjermani, në tre faza deri në fillim të pranverës”, njoftoi Scholz.
Sipas planit, në fazën e parë do të hiqet kufiri aktual i tubimeve të 10 personave. Ata që janë vaksinuar ose shëruar nga virusi do të lejohen të tubohen pa kufizim.
Në fazën e dytë, duke filluar nga 4 marsi, restorantet do t’u shërbejnë klientëve që janë vaksinuar, shëruar apo klientëve që posedojnë test negativ.
Baret dhe klubet do të rihapen, por do të pranohen vetëm personat e vaksinuar ose të shëruar plotësisht, por me një test negativ. Personat që janë vaksinuar me dozën e tretë përforcuese nuk do të kenë nevojë të posedojnë test negativ.
Në fazën e tretë nga 20 marsi, tha Scholz, “të gjitha masat mbrojtëse më të gjera do të hiqen nëse situata në spitale e lejon këtë”.
Top Channel