Fiks Fare denoncoi veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të cilat nuk lejojnë një qytetar që të bëjë ankesë anonime për disa punonjës.

Dritan Delia ankohet se i kanë vendosur një gjobë për parkim të gabuar. Thotë se ndoshta e meritonte gjobën dhe ka filluar ta lexojë. Por nuk ka mundur dot ta lexojë dhe ka parë dy punonjës policie që ishin pak metra më larg. Ka shkuar ti pyesë se çfarë lexon në këtë vendim dhe kush ishte arsyeja. Asnjë prej punonjësve nuk i ka dhënë shpjegim, duke i thënë se shkaqet janë ato në atë vendim.

Ai i ka pyetur për emrat, por sërish punonjësit nuk i kanë treguar. Dritani pohon se njëri nga policët e ka shtyrë me sup. Për të gjithë ngjarjen ka edhe një filmim, të cilin ia ka vënë në dispozicion emisionit Fiks Fare. Në video duket Dritani i cili i kërkon emrin dhe numrin e identifikimit njërit prej punonjësve, por ai nuk pranon. Madje, i thotë se “quhem punonjës i policisë rrugore” pa i treguar gjeneralitetet.

Pas ngjarjes, Dritani ka shkuar në Komisariatin e Policisë nr.1 për të bërë një ankesë. Ka komunikuar me rojën dhe i ka kërkuar që ankesën ta bëjë në mënyrë anonime, pasi nuk dëshironte të konfliktohej me policë të tjerë. Por, polici ka marrë disa herë eprorët dhe i kanë thënë se duhej të identifikohej për të bërë ankesë dhe ankesa nuk bëhet anonime.

Dritani thotë se ka parë ligjin për Policinë e Shtetit dhe aty thotë se “punonjësi i policisë është i detyruar të thotë identitetin dhe medaljonin vetëm gjatë orarit të punës”. Ndërkohë, për ankesën anonime ligji për policinë parashikon se “qytetari mund të bëjë ankesë edhe anonime”. Por, Dritanin nuk e kanë lënë.

Ai telefonin SHÇBA-në, për ti pyetur nëse mund të bëjë ankesë anonime. Punonjësi i thotë se nuk e bën dot ankesën anonime, ndërsa ankesë anonime mund të bëjë vetëm nëpërmjet postës. Por, Dritani kishte disa video për tu treguar.

Biseda e qytetarit me punonjësit e policisë rrugore:

Qytetari – O Zotëri, të lutëm a mund të ma japësh numrin e identifikimit.

Punonjësi i policisë – A ka mundësi të largohesh pak të lutem!

Qytetari – Numrin e identifikimit.

Punonjësi i policisë – Ka mundësi të largohesh.

Qytetari – Zotëri po refuzon të më japësh numrin e identifikimit.

Punonjësi i policisë – Shko ankohu te Qarkullimi Rrugor, dakord!?

Qytetari – Dmth, po refuzon të më japësh numrin.

Punonjësi i policisë – Vazhdo mos u mbështet se është mjeti tjetër, jo i joti. Kalo pak këtej të lutem.

Qytetari – Ti po refuzon të më japësh numrin!

Punonjësi i policisë – Kalo këtej të lutem se ka instanca të tjera që merren.

Qytetari – Më jep një përgjigje, unë jam qytetar.

Punonjësi i policisë – Ka mundësi të kalosh këtej.

Qytetari – Ore po kërkoj sqarim, më jep numrin.

Punonjësi i policisë – Je gazetar zotëri?! Kalo në trotuar se të shtypin mjetet!

Qytetari – Kujdesem vetë për veten unë, kam 45 vjet që kujdesem për vete unë.

Punonjësi i policisë – Je në prezencë të punonjësit të policisë, kujdeset punonjësi i policisë…

Qytetari – Të lutem, ti ke detyrë të më japësh numrin mua.

Punonjësi i policisë – Dakord, pa merak.

Qytetari – E ke për detyrë.

Punonjësi i policisë – Ka instanca të tjera që merren me atë punë. Hip në trotuar të lutem dhe largohu se po na…

Qytetari – S’më detyron dot ti mua.

Punonjësi i policisë – Dakord (Nxjerr telefonin dhe i bën foto qytetarit)

Qytetari – Ti si punonjës policie e ke për detyrë të më prezantohesh të më japësh emër dhe numër.

Punonjësi i policisë – Quhem punonjësi i policisë i qarkullimit rrugor, dakord?!

Qytetari – Emër dhe numër dua të më japësh ti mua.

Punonjësi i policisë – S’kam detyrim.

Qytetari – Ti e ke detyrim ligjor të më japësh

Punonjësi i policisë 2 – (Shtyn me sup qytetarin)

Qytetari – Dhe ti mos më shty. Zotëri mos më prek me dorë, mos më prek me dorë fare

Punonjësi i policisë 2 – S’kam…

Qytetari – Më preku ai me dorë, më shtyu ai.

Punonjësi i policisë – S’të shtyu fare. Të lutem largohu tani se po na pengon.

Qytetari – Unë s’kam pse të largohem, këtu jam në rrugë.

Punonjësi i policisë – Hip në trotuar.

Qytetari – Këtu jam në rrugë të shtetit, as të taten as të askujt tjetër.

Punonjësi i policisë – Hip në trotuar ku kalojnë njerëzit e tjerë.

Qytetari – Këtu s’ke ç’më bën fare.

Punonjësi i policisë – Me kujdes të lutem!

Qytetari – Kujdes bëj për veten unë, jo për ty.

Punonjësi i policisë – Pa merak, bëj kujdes.

Qytetari – Ti ki kujdes!

Punonjësi i policisë – Me kujdes të lutem.

 

Qytetari shkon të ankohet, por nuk e lejojnë të bëjë ankesë anonime

Polici në Komisariatin nr.1 – Emrin do ma japësh se do të regjistroj këtu. Unë fola me shefen e SHÇBA-së dhe më tha se me problemin s’ke punë, mos ma thuaj, do ta thojë te ne.

Qytetari – Po mirë pra, unë po të jap një emër po të jap iniciale M.M.

Polici në Komisariatin nr.1 – Jo iniciale, dua një dokument që të të regjistroj.

Qytetari – Nuk jam i detyruar që të regjistrohem në asnjë vend, unë s’kam bërë asnjë krim. S’dua të identifikohem. Nëse ti do të shënosh diçka atje, unë po të jap dy iniciale M.M.

Polici në Komisariatin nr.1 – S’kam si shkruam M.M, të thashë dhe njëherë.

Qytetari – Unë s’dua të futem në asnjë vend, unë dua të bëj një ankesë.

Polici në Komisariatin nr.1 – Po ankesa bëhet te SHÇBA-ja.

Qytetari – Duke qenë qytetar i lirë, unë nuk jam i detyruar të jap detaje.

Polici në Komisariatin nr.1 – Atëherë më dëgjo. Zyrat e SHÇBA-së janë në kat të tretë. Fola me atë shefen e SHÇBA-së dhe i thashë s’do të japë, ia thashë ashtu siç më the ti. S’do të më japë as emrin as ku e ka problemin.

Qytetari – Po.

Polici në Komisariatin nr.1 – Me problemin më tha mos u merr se merremi ne. Kurse për emrin je i detyruar…

Qytetari – Unë s’të thashë se s’të them problemin, unë problemin ta them.

Polici në Komisariatin nr.1 – Mos ma thuaj fare, po emrin je i detyruar të ma japësh. Ky është sekret i protokolluar këtu dhe e mbaj unë në sirtar, kaq.

Qytetari – Po më hiqni të drejtën për të qenë anonim. Unë vij për t’u ankuar për dy punonjës policie…

Polici në Komisariatin nr.1 – Është e drejta jote.

Qytetari – Kush është e drejta ime?!

Polici në Komisariatin nr.1 – Po s’mund të hysh anonim në komisariat.

Qytetari – Unë s’po kërkoj të hyj, hajdeni ma merrni këtu. Do më kërkosh mjet identifikimi mua për atë?

Polici në Komisariatin nr.1 – Po. Do emrin e asaj?

Qytetari – Po.

Polici në Komisariatin nr.1 – Ja ti them se… Po vjen vetë poshtë.

Qytetari – Ok. Unë kam ardhur të ankohem dhe dua të ngel anonim, unë jam gati të jap dy iniciale. Do ma merrni ankesën apo jo?

Shefja e SHÇBA-së – Po do ta marr, po këtij do ti japësh.

Qytetari – Inicialet do ti jap.

Polici në Komisariatin nr.1 – Jo inicialet jo.

Qytetari – Unë s’kam bërë asnjë krim.

Shefja e SHÇBA-së – Të kuptoj, te mua do ngelësh anonim.

Polici në Komisariatin nr.1 – Ai libër është i protokolluar dhe te unë është sekrete ka kaluar deri…

Qytetari – Do më thuash ku është rregullore, në cilin nen në cilën pikë, më thuaj ku.

Polici në Komisariatin nr.1 – Ka një rregullore të brendshme të komisariatit që çdo person që hyn dhe del duhet të regjistrohet. Në rregulloren time s’e kam shkruar që personi që futet të ngelet anonim.

 

 

FOTO GALERI
1/10

Top Channel