Sfida e radhës e Rusisë ndaj perëndimit ishte projektligji i Dumës ruse që parashikon njohjen e pavarësisë së republikave të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut në Ukrainën Lindore, të cilat kontrollohen nga separatistët pro-rusë.
Por sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken nuk e la pa përgjigje një lëvizje të tillë. Kryediplomati i SHBA-së e bëri të qartë se një hap i tillë do të ishte i paligjshëm e ndaj tij, do të kishte reagim të shpejtë.
“Miratimi i kësaj rezolute do të minonte më tej sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, do të përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, do të vinte në pikëpyetje të mëtejshme angazhimin e shpallur të Rusisë për të vazhduar rrugën diplomatike me synim arritjen e një zgjidhjeje paqësore për krizën. Një veprim i tillë do të kërkonte një përgjigje të shpejtë dhe të vendosur nga Shtetet e Bashkuara në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët e vendit”, tha Blinken.
Dhoma e ulët e parlamentit rus ose siç njihet Duma votoi të martën për t’i kërkuar Presidentit Vladimir Putin të njohë republikën Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, të cilat shpallën pavarësinë nga Ukraina më 2014, pas largimit të detyruar nga pushteti të ish-Presidenti Viktor Janukoviç gjatë atij që u njoh si revolucioni ukrainas.
Njohja e republikave mund të shkatërrojë marrëveshjet e Minskut, të arritura në vitet 2014-2015 pasi separatistët e mbështetur nga Rusia pushtuan rajonin e Donbasit të Ukrainës.
Kievi ka qenë në luftë me rajonet e shkëputura që nga viti 2014, një konflikt gjatë të cilit janë vrarë rreth 15,000 vetë.
Top Channel