Balluku në Shoqatën e Investitorëve të Huaj: Biznesi dhe investimet motori i zhvillimit ekonomik

17/02/2022 22:02

Ministrja Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku theksoi se biznesi dhe investimet janë motori i zhvillimit ekonomik të një vendi, ndërsa ishte e  pranishme në takimin e përvitshëm me Shoqatën e Investitorëve të Huaj.

“Si ministre por edhe Qeveria Rama që unë përfaqësoj e kemi vlerësuara maksimalisht rolin tuaj dhe besojmë fort se biznesi dhe investimet janë motori i zhvillimit ekonomik të një vendi dhe është vëmendja jonë për biznesin dhe përfaqësuesit e tij ajo që duhet të na udhëheqë. Është një marrëdhënie komplekse dhe jo fort e lehtë, me ankesa kërkesa, kërcënim edhe për protesta, por me dëgjesa zgjidhje problemesh dhe falënderime të ndërsjella”, tha ministrja.

Ministrja përmendi të gjitha fatkeqësitë që prekën popullin shqiptar, që nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, pandeminë dhe krizën energjetike e inflacionin.

 “Tre vitet e fundit kanë qenë më të vështirat për të gjithë ne, pasi u sprovuam nga fatkeqësitë të cilat mund të themi se mund të ishin vetëm skenarë filmash, si tërmeti i shtatorit, më pas i nëntorit më pas pandemia që akoma po luftojmë me të. Si kur të mos mjaftonin këto, kemi edhe një krizë akoma edhe më kritike që është kriza energjetike që nuk ka lënë askënd pa prekur. Bizneset, ndërmarrjet kanë bazuar prodhimin e tyre në energjinë elektrike. Bota po përballet me mungesën e energjisë elektrike në treg, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të ndihmojë familjet dhe bizneset e vogla e të mesme”, tha Balluku.

Top Channel