Në fjalën e tij në Kuvend, Taulant Balla ka reaguar me tone të ashpra ndaj Sali Berishës duke i thënë se në qeverisjen e tij nuk bëri asnjë ndryshim në Tropojë.
Balla e fton që të shkojë në Tropojë dhe të shohë transformimin ndërsa për Bashën i thotë se nuk i ndan dot asgjë pasi kudo janë të përfshirë bashkë. Ndërsa për akuzat ndaj Ramës tha se “i vjen tek fundbarku i kalit të Skënderbeut” duke nxitur reagime në Kuvend.
Balla: Nuk bëre asgjë për Tropojën. 30 vite qëndrove dhe nuk vendose një pllakë në Bajram Curr. Të ftoj të shkosh një ditë në Tropojë dhe të shohësh transformimin e atij qyteti njerëzish të mirë. Është tërësisht i ndryshuar nga Tropoja që gjetëm.Ti nuk do mbahesh mend për asgjë që ke bërë në atë zonë, por për lejet e koncesioneve të hidrocentraleve, por kjo qeveri është në proces të statusit të Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë. Të takonte ty ta bëje këtë. Ty dhe Lulin nuk ju ndan dot asgjë se në të gjithë harllëqet e keni emrin bashkë.
Për akuzat ndaj Ramës, ti i vjen tek fundbarku i kalit të Skënderbeut. Është i vetmi politikan që nuk ka mbrojtur askënd ndaj të cilit ka nisur hetim penal. Bëhuni burra dhe respektoni këtë standard.
Xhaferaj: Pjesën e sipërme apo të fundit të barkut, nuk është dinjitoze të përdoret. Se çfarë lideri është Edi Rama u duk në zgjedhjet e fundit, që mori një grup çupëlinash dhe ty kryetar i grupit parlamentar të la prapë aty.
Nikolla: Duhet të kërkosh ndjesë për zonjat ministre, nuk mund të përdorësh gjuhë seksiste. Hiqet fjala dhe kërko ndjesë. Nuk mund t’i etiketosh me atë gjuhë.
Top Channel