“7 mijë trupa të tjera ruse në kufi”, NATO: Po na hedhin hi syve

17/02/2022 12:20

7 mijë trupa të tjera ruse mbërritën të mërkurën në kufirin me Ukrainën, thotë një zyrtar i lartë i administratës amerikane, çka dëshmon qartë sipas tij, se pretendimet e Moskës për tërheqjen, janë të rreme. S`ka largim”, pohoi dhe sekretari i shtetit Antony Blinken për ABC.

Putini mund ta tërheqë këmbëzën në çdo moment, mund të tërheqë sot, nesër, javën që vjen. Forcat ushtarake aty i ka, nëse do të dojë të nisë agresionin kundër Ukrainës”, ishte komenti i shefit të diplomacisë amerikane. Rusia nuk i ka reduktuar trupat në kufi, i ka shtuar deklaroi dhe zëdhënësi i DASH, Ned Price.

Kur u pyet se përse do të dilte Moska me një pretendim të tillë, ai u përgjigj: “Kjo është loja ruse, publikisht paraqesin diçka tjetër, dhe pastaj bëjnë krejt të kundërtën”! Që s`ka pasur tërheqje trupash ruse, këtë e deklaroi hapur dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës në Bruksel, i cili tha se “ nëse duan vërtet ti largojnë trupat, ne padyshim do ta mirëpresim një vendim të tillë, por deri tani, nuk e kemi parë të ndodhë”.

Aleanca sakaq këtë javë diskuton mbi mënyrat sesi të dislokohen sa më shpejt ushtarë dhe pajisje të saj në vendet pranë Rusisë dhe rajonin e Detit të Zi, për t`u përgatitur në rast se Moska urdhëron pushtimin. Edhe presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky nuk u bind nga deklaratat e rusëve.

“Bëjnë sikur ikin, rrotullohen e kthehen prapë” u shpreh ai gjatë një vizite ne qytetin juglindor të Mariupolit, ku dhe njëherë bëri thirrje për unitet, pasi siç tha, “vetëm të bashkuar do të jemi në gjendje ta mbrojmë atdheun tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA