Gjykata e shkallës së Parë Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 35 ditë për Eduard Kësollën, i akuzuar për vrasjen e Prekë Tonaj.

Në seancën gjyqësore, i pandehuri Kesolla ka qëndruar i heshtur, ndërsa ka folur vetëm avokati.

Mbrojtja ka kërkuar që të sillen prova që implikojnë 30-vjeçarin ndërsa ka kërkuar një masë më të lehtë.

Mbrëmjen e se dielës, viktima Preke Tonaj, ka lënë shtëpinë e tij pak metër më tutje dhe ka shkuar për të konsumuar diçka në brendësi të një lokali.

Vetëm pak minuta me vonë, një person i maskuar është futur brenda në lokal,  ka kërcënuar klientët e tjerë që të mos lëvizin, i është afruar viktimës, i ka komunikuar një mesazh dhe me pas e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.

Prokuroria dyshon se vrasja ka si shkak gjakmarrjen, pasi në të kaluarën, familjes Tonaj, i ishin vrarë edhe dy djem të tjerë. Gjatë periudhës së komunizmit, Nikollë Tonaj u vra në burg, kurse në vitin 1996, familja mori hakun duke vrarë autorin.

Vite me vonë, në 2011-ën, fisi Tonaj do të përplasej më një fis tjetër po nga Dukagjini, ku mbeti i vrarë edhe Zek Tonaj.

Këto vrasje, çojnë prokurorinë e Shkodrës, në dyshime se ekzekutimi i Prek Tonajt mbrëmjen e se dielës, ka ardhur si shkak i gjakmarrjes mes fiseve.

Top Channel