Sekretari britanik i Mbrojtjes: Akoma i mundshëm pushtimi rus

16/02/2022 16:38

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace paralajmëroi këtë të mërkurë se pushtimi rus i Ukrainës është ende i mundur, pavarësisht njoftimit të Moskës për tërheqje të trupave.

Në një intervistë në “Sky News” në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Wallace tha se nuk ka prova të tërheqjes ruse, duke shtuar se vendosja e armatimit të rëndë dhe spitalet fushore tregojnë për një pushtim në shkallë të gjerë.

“Nuk kemi parë dëshmi të tërheqjes që pretendohet nga Kremlini. Në fakt, ne kemi parë grumbullimin e vazhdueshëm të gjërave si spitalet në terren dhe vendosjen e sistemeve strategjike të armëve si raketat Iskander”, tha ai.

“Ne do t’i gjykojmë ata për veprimet e tyre dhe nëse do të krijojmë besim për të tentuar dhe për të zbutur këtë incident, ne duhet të sigurohemi që nuk do të grumbullojmë trupa në të njëjtën kohë, ndërsa kjo është ajo që ne shohim. Derisa të shohim de-përshkallëzimin e duhur, duhet të jemi të kujdesshëm”.

Wallace tha se veprimet e Moskës synojnë të detyrojnë një ndryshim në orientimin e Kievit drejt Perëndimit, si dhe të detyrojnë NATO-n të pranojë propozimet ruse të sigurisë që nuk do ta pranojë Ukrainën si anëtare dhe të mos zgjerohet më tej në lindje.

Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të Kremlinit se nuk dëshiron të pushtojë Ukrainën dhe se ka tërhequr pjesërisht forcat e tij, Ukraina mbetet ende e rrethuar.

“Nga këndvështrimi ukrainas, ata janë mjaft të rrethuar nga një forcë shumë e madhe e trupave të gatshme. Unë mendoj se nëse kjo vazhdon, ata nuk e kanë hequr këmbën nga gazi. Gatishmëria është një nga shenjat e para që merrni në lidhje me atë sa serioz është një vend”, tha Wallace.

“Gjykoni me sytë tuaj për shkallën e vendosjes ruse në kufijtë e Ukrainës dhe në të vërtetë të gjitha konferencat për shtyp të mbajtura nga presidenti Putin”, shtoi ai.

Rusia njoftoi se kishte përfunduar stërvitjet ushtarake në Krime, gadishullin ukrainas që aneksoi në vitin 2014, dhe se po tërhiqte trupat.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Rusia njoftoi se disa nga ushtarët e saj të vendosur afër kufirit ukrainas po largoheshin për në bazat e tyre. Por një stërvitje ushtarake ruso-bjelloruse e shkallës së gjerë do të zgjasë deri më 20 shkurt.

Edhe liderë të tjerë, duke përfshirë presidentin e SHBA-së, Joe Biden, dhe shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, mbeten gjithashtu skeptikë, duke thënë se një pushtim duket ende shumë i mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA