Vladimir Putin e hutoi edhe një herë botën me deklaratën e papritur se Rusia po tërhiqte disa nga trupa nga kufiri me Ukrainën.
Perëndimi u gjend përballë një tjetër dileme: A ishte kjo vërtet një shenjë se kriza më në fund po zbutet, apo është thjesht një manovër taktike nga ana e Kremlinit. Putin mund të ketë çdo arsye për të besuar se arriti të siguronte një fitore strategjike pa shkuar fare në luftë, thotë The Telegraph.
Ai dëshmoi dhe një herë statusin e Rusisë si superfuqi, i detyroi liderët e perëndimit që të shkonin e ta takonin në Moske dhe e la të gjithë botën me frymën pezull për lëvizjen e tij të radhës. Presidenti rus ka qenë transparent për taktikat e tij prej muajsh tashmë. Përse ndaloi papritur tani, kur ishte në prag të një fitoreje edhe më dërrmuese.
Mes presionit, ambasadori ukrainas në Britani la të kuptohej se vend ii tij mund të hiqte dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO, edhe pse Kievi e thirri shpejt për t`i tërhequr veshin. Një nga mundësitë që ngre shkrimi është se në Moskë, mund të jenë zhvilluar negociata të fshehta, për të cilat publiku i gjerë, nuk di asgjë.
Ambasadori ukrainas në Gjermani bëri një koment intrigues të martën, kur tha se kancelari gjerman Olfa Scholz duhet të godasë me grusht, por po qe nevoja edhe me këpucën e tij tryezën e Vladimir Putinit gjatë vizitës në kryeqytetin rus. Komenti duket se i referohej veprimit të famshëm të Nikita Krushovit, që përplasi këpucën në një tavolinë në OKB, dhe ishte lideri sovjetik gjatë krizës së raketave kubane në 1962, momenti kur SHBA dhe Bashkimit Sovjetik iu afruan rrezikshëm luftës.
Vetëm më vonë, u mësua se ajo krizë ishte zgjidhur përmes një marrëveshjeje sekrete përmes negociatash të drejtuara nga Robert F Kennedy.
Sipas The Telegraph, nuk është çudi që dhe tani të jenë duke u përdorur kanale të tij bisedimesh, për të cilat publikisht nuk dihet gjë, ndërsa thekson se ndoshta jo pa qëllim Boris Johnson dhe Joe Biden deklaruan me te madhe se kishte ende shpresë për një zgjidhje diplomatike mbrëmjen e së hënës, pak para se të vinte njoftimit rus për tërheqjen e disa trupave, i cili megjithatë, ende nuk ngjall shumë besim as tek Ukraina, e as tek perëndimi.
Top Channel