Tema kryesore e takimit të tyre ishte Ukraina, por në Moskë, kancelari gjerman Olaf Scholz u përplas me presidentin rus Vladimir Putin edhe për rastin e Kosovës.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Vladimir Putin hodhi poshtë idenë se NATO është aleancë paqësore, dhe këtë, e justifikoi duke përmendur bombardimin e Serbisë nga Aleanca veri-atlantike.
“NATO nuk është Aleancë paqësore e mbrojtjes”, tha shefi i Kremlinit.
Ai nënvizoi se në Serbi, NATO bombardoi Beogradin pa mandat nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por kancelari gjerman e kundërshtoi hapur, duke i kujtuar se aleanca ndërhyri asokohe në Kosovë për të ndaluar gjenocidin.
Pas takimit me Putin, Scholz pranoi, se në shumë pika palët janë larg njëra-tjetrës. “Por është detyrimi ynë dreqi e mori të angazhohemi për paqen”, apeloi kancelari tek Putini si edhe tek vetja. Presidenti rus iu përgjigj pyetjes për luftën dhe paqen, duke thënë se Rusia nuk do luftë “natyrisht”.
Ai është i shqetësuar, se ka gjasa që “çdo proces bisedimesh të zgjatet tej mase”, dhe këtë nuk mund ta pranojnë. Fjalë që tingëllojnë si bisedime me armë të mbushur mbi tavolinë, thonë analistët.
Top Channel