Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin shqiptar Ilir Meta për mesazhet dhe qëndrimet në mbështetje të Ukrainës gjatë konfliktit me Rusinë.

“I jam mirënjohës Presidentit Ilir Meta për fjalët e tij mbështetëse! Ne vlerësojmë solidaritetin e Shqipërisë, miqve dhe partnerëve të tjerë për hir të një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Së bashku ne e bëjmë Ukrainën më të fortë! Së bashku më të fortë”, shkruan presidenti ukrainas.

Shqipëria ka shprehur mbështetje ndaj Ukrainës, në situatën që po kalon javët e fundit, ku nga momenti në moment mund të ndodhë një pushtim rus.

Presidenti Ilir Meta thirri dy ditë më parë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në kufirin Ukrainë-Rusi, si dhe rreth pasojave të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë.

Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konfirmuan se Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale.

Postimi në Twitter

Top Channel