Konferenca e parë ndërqeveritare, Rama: Nëse nuk mbahet pas presidencës franceze, nuk do presim në pafundësi

16/02/2022 12:03

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije nga SHBA se Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Europian nëse nuk mbahet konferenca e parë ndërqeveritare pas zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Rama tha se nuk ka kuptim që Shqipëria të presë në pafundësi që Bullgaria të lirojë ‘pengun’, Maqedoninë  e Veriut, në një kohë kur i ka kryer detyrat.

“Nëse edhe pas presidencës franceze nuk do realizohet hapja e konferencës, është pakuptim që ne të presim në pafundësi që Bullgaria të lirojë pengun e vet. Kjo mund të vazhdoj të pa fund dhe është e padrejtë për Shqipërinë që i ka kryer të gjitha detyrat tashmë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Washington në kuadër të fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në Kombet e Bashkuara (OKB). Më 15 shkurt ai u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ky i fundit deklaroi në një shënim të shkurtër në rrjetin social Twitter, se “mezi presim 100 vitet e ardhshme”.

Kënaqësi të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festoja 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme”, shkruante Blinken.

Me datë 14 shkurt u mbajt edhe pritja zyrtare e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Në fjalën e rastit, kryeministri Rama theksoi se ky mandat “shënon një gur themelor në transformimin e vendit tonë”.

Top Channel