Kina “gjen momentin”: Vë në provë Amerikën, nis avionët pranë Tajvanit

16/02/2022 12:21

Atëherë kur vëmendja e botës dhe energjitë janë fokusuar tek shmangia e një konflikti të përgjakshëm në Europë, Kina i rikthehet provokimeve ndaj Tajvanit, duke sfiduar kështu dhe SHBA-në.

Një avion i vogël civile fluturoi pranë ishullit, një shenjë kjo se Pekini ndoshta po ndryshon strategji lidhur me testimin e reagimit të vendit që pretendon mëvetësinë, por ai konsideron pjesë të tijin. Tajvani ankohet prej dy vitesh për provokimeve të Kinës me avionë ushtarakë, që hyjnë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

Tani, po kërkon t`ia vërë në sprovë ndryshe aftësitë e kundërpërgjigjes. Ministria tajvaneze e mbrojtjes konfirmoi se avioni i dërguar së fundi ishte civil, një Y 12, një mjet i lehtë fluturues me dy motorë.

“Nuk e përjashtojmë dot mundësinë që të kenë përdorur këtë radhë një avion civil për të testuar reagimin tonë ushtarak”, i tha gazetarëve zëdhënësi i ministrisë tajvaneze të mbrojtjes, Shih Shun-wen.

I vendosur nën ombrellën mbrojtëse të Amerikës, Tajvani është sot një nga 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë të saj, e po kërkohet që lidhjet  e tyre ekonomike të thellohen edhe më shumë. Tajvani është strehë e prodhuesit më të madh në botë të çipave, “Taiwan Semiconductor Manufacturing Company”, shkurtimisht TSMC.

Shumë e lidhin mbijetesën e demokracisë së Tajvanit me sigurinë e zinxhirit të furnizimit të SHBA. Përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Kina, Tajvani ka rritur aftësitë mbrojtëse.

SHBA po vazhdon gjithashtu shitjen e armëve Tajvanit në bazë të Ligjit të Marrëdhënieve me Tajvanin, pasi Uashingtoni tërhoqi njohjen diplomatike të Tajvanit dhe njohu Kinën në vitin 1979.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA