A ka një plan qeveria shqiptare nëse përshkallëzohet situata në Ukrainë? Si përgjigjet kryeministri Rama

16/02/2022 11:20

Edi Rama ka mbajtur bashkëbisedim me gazetarët nga Washingtoni, ku është pyetur për tensionin në Ukrainë dhe për planin e qeverisë shqiptare.

Pyetje: Nëse përshkallëzohet situata në Ukrainë, a ka një plan qeveria shqiptare?

Edi Rama: Nuk kemi probleme të kësaj natyre. Ministria e Jashtme i ka marrë të gjitha masat, kemi disa qytetarë shqiptarë që kontribuojnë në misionin e monitorimit se ky është roli i monitorimit dhe e përsëris që ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e pozicionit të ri që kemi marrë në arenën ndërkombëtare, gjë që e ndjejmë dhe nga rritja marramendëse e intensitetit të kontakteve të tjerëve me ne, ndërsa nga ana tjetër e dimë shumë mirë pozicionin tonë. 

Të gjithë ato që kemi për ti thënë i themi kur jemi në kushtet e diskutimit të brendshëm, por në qëndrimet tona publike jemi të njesuar me SHBA dhe si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit që është një rol shumë i madh për ne, ne sigurisht jemi edhe më të vetëdijshëm për pozicionin.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Washington në kuadër të fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në Kombet e Bashkuara (OKB). Më 15 shkurt ai u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ky i fundit deklaroi në një shënim të shkurtër në rrjetin social Twitter, se “mezi presim 100 vitet e ardhshme”.

Kënaqësi të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festoja 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme”, shkruante Blinken.

Me datë 14 shkurt u mbajt edhe pritja zyrtare e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Në fjalën e rastit, kryeministri Rama theksoi se ky mandat “shënon një gur themelor në transformimin e vendit tonë”.

Top Channel