U qëllua me armë nga 2 persona dhe mbeti i dëmtuar në këmbë, ish punonjësit të policisë i jepet çeku me 10 mijë dollarë

15/02/2022 13:23

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit ka dhënë donacion për ish-punonjësin e Policisë Rrugore Resmi Hasanpapa, i cili ka mbetur i dëmtuar në krye të detyrës.

Në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, një përfaqësi e shoqatës Amerikano-Shqiptare të punonjësve të Policisë i ka dorëzuar ish-punonjësit të Policisë Rrugore Resmi Hasanpapa, çekun me shumën 10 mijë dollarë, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi.

Në vitin 2004, Resmi Hasanpapa dhe kolegu i tij Allaman Dervishi, janë qëlluar më armë nga dy shtetas. Për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë Allaman Dervishi dhe ka mbetur i dëmtuar në këmbë Resmi Hasanpapa.

Shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Besmir Qibini, ndër të tjera ka theksuar se pavarësisht se Resmi Hasanpapa humbi aftësinë për të ecur, ai nuk e humbi kurrë vullnetin për të dhënë kontributin e tij si punonjës policie. Që prej vitit 2016, ai është integruar duke dhënë kontributin e tij vullnetar pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Përfaqësuesi i Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, Erald Krisafi, në emër të drejtuesit të shoqatës Elton Shametaj, i ka dhuruar çekun Hasanpapës dhe është shprehur se kjo shoqatë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të Policisë.

Ish-punonjësi i Policisë Resmi Hasanpapa ka falënderuar përfaqësuesin e shoqatës, për vlerësimin dhe për donacionin. Gjithashtu, ai ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vëmendjen që tregon ndaj punonjësve të Policisë që kanë mbetur të dëmtuar gjatë kryerjes së detyrës, po ashtu dhe ndaj familjarëve të Dëshmorëve të Policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA