Kryeqyteti i Ukrainës po kthehet në zonë të pasigurtë për diplomatët amerikanë. Tani u mor vendimi që ata të zhvendosen në një qytet perëndimor ukrainas, në një kohë që rreziku i luftës rritet.

Për shkak të krizës në Ukrainë, SHBA ka vendosur të zhvendosë ambasadën amerikane nga kryeqyteti Kiev në qytetin Lviv, në perëndim të vendit. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë të ditur, se bëhet fjalë për një masë të përkohshme. Ai e arsyetoi këtë hap me “përshpejtimin dramatik” të marshimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën. “Nuk kam prioritet më të madh, se siguria e amerikanëve kudo në botë, dhe kjo përfshin natyrisht kolegët tanë jashtë vendit”, tha Blinken. Ai theksoi, se ambasada do të bashkëpunojë me qeverinë amerikane, dhe u kërkoi sërish bashkëvendasve të tij që të largohen menjëherë nga Ukraina. Qytetarët amerikanë duhet të largohen po ashtu menjëherë edhe nga Bjellorusia.

Garanci kreditore në vlerë miliardash

Shtetet e Bashkuara duan të forcojnë aftësinë e Ukrainës, para “sjelljes destabilizuese” të Rusisë, tha Blinken dhe duan të forcojnë stabilitetin ekonomik, rritjen ekonomike dhe mirëqenine për popullsinë. Për këtë arsye Kievit i është ofruar një garanci kreditore deri në 1 miliardë dollarë, afër 884 milionë euro, pas tre garancish të njëjta të mëparshme.

Qeveria amerikane ka disa javë që paralajmëron nga një sulm rus kundër Ukrainës. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha të hënën, në televizionin CNN, se numri i trupave ruse në zonën kufitare aktualisht ka kaluar dukshëm numrin e 100.000 ushtarëve. SHBA kanë një “prezencë të vogël ushtarake” në Ukrainë, që lidhet me praninë e diplomatëve amerikanë.

Kirby theksoi, se “ne nuk do të dërgojmë trupa amerikane në Ukrainë për të luftuar”. Por Rusia në rast të një pushtimi duhet të llogarisë me masa ndëshkuese ekonomike të zgjeruara. NATO është e bashkuar në këtë krizë, tha ai. Qeveria ruse mohon çdo lloj plani për sulm dhe kërkon nga ana e saj garanci të zgjeruara sigurie.

“Pasoja të rënda”

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe kryeministri britanik, Boris Johnson i bënë thirrje Moskës për të çtensionuar situatën. Në një telefonatë të përbashkët u fol për gatishmërinë për sanksione të menjëhershme të ashpra kundër Rusisë, “nëse do të ketë një vendim për shkallëzim të mëtejshëm të situatës”. Qeveria në Londër bëri të ditur, se të dy politikanët kanë folur për nevojën e vendeve europiane të “zvogëlojnë varësinë nga gazi rus”. Deklarata lidhet sidomos me gazsjellësin, Nord Stream 2, që sjell gaz në Gjermani duke anashkaluar Ukrainën.

Kancelari gjerman Olaf Scholz në një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk e përmendi me emër projektin, por tha se do të ketë “pasoja të rënda politike, ekonomike dhe gjeostrategjike” për Moskën në rast të një agresioni. Scholz -në Kiev i siguroi Ukrainës një mbështetje ekonomike prej 150 milionë eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA