Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rama theksoi se detyra e një vendi të vogël si Shqipëria është që të vendoset drejtësia.
Rama u shpreh se angazhimi i Shqipërisë është të sjellë zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Teksa kujtonte kontribuimin në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë, kryeministri tha se nuk kërkojnë merita, por bëri me dije se është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.
Edi Rama: Askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi.
Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme.
Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si i imi. Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit -së paku, jo tani – por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. As nuk është vetëm fuqia ajo që i duhet Këshillit për të zgjidhur sfidat më të ngutshme sot ndaj paqes dhe sigurisë në botë.
Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.
Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit; apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve.
Ne nuk kërkojmë merita për këtë. Ajo i takojnë dinjitetit çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimeve, fesë, etnisë, gjinisë apo cilitdo orientimi.
Ky nuk është slogan – është praktikë e jetuar. Ne nuk veprojmë sipas këtij kodi nderi sepse mundemi, por thjesht sepse duhet – është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.
Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në organin më të fuqishëm të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria ka të drejtën e një vote në vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit.
Shqipëria synon që gjatë mandatit të saj 2-vjeçar të punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon, për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos e lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve.
Top Channel