Shumë palestinezë kanë humbur jetën që nga viti 2006, pasi Izraeli refuzon të lëshojë leje mjekësore për ata që jetojnë në Rripin e Gazës. Gjatë 16 viteve të fundit, Izraeli ka vendosur bllokadë në Rripin e Gazës pasi grupi palestinez i rezistencës Hamas fitoi zgjedhjet legjislative.
Derisa fëmijët e prekur nga kanceri marrin leje mjekësore për t’u trajtuar në spitalet e Kudsit, prindërit e tyre nuk lejohen t’i shoqërojnë ata. Ata ose lihen vetëm në spitale ose një nga gjyshërit lejohet vetëm të kujdeset për ta.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kancerit të Fëmijëve, e cila shënohet më 15 shkurt, Nimah Alyan, 22-vjeç nga Kudsi, tha se për të kapërcyer çështje të tilla, ajo ka krijuar një iniciativë për të ndihmuar fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjet e tyre.
“Ishim nëntë miq në fillim, sot jemi më shumë se 20 vullnetarë nga Kudsi dhe lagjet e tij. Kjo përvojë e ka bërë zemrën time të butë”, tha ajo.
Ideja për të krijuar grupin erdhi kur Alyan takoi fëmijën shtatë muajsh Mayar, i cili kishte ardhur nga Gaza në Kuds pasi u diagnostikua me një tumor në retinë. Megjithëse nëna e saj u lejua ta shoqëronte në spitalin izraelit Hadassah Ain Karam, ajo nuk ishte në gjendje të komunikonte me askënd në spital.
“Për më shumë se dhjetë ditë nëna e saj nuk dinte ndonjë detaj të qartë për gjendjen shëndetësore të vajzës së saj, sepse ajo nuk fliste hebraisht apo anglisht. Për shkak të kësaj, nëna kishte frikë dhe ajo mendoi se mjekët do të bënin një operacion për të hequr syrin e vajzës së saj”, tha ajo.
Ndërkohë edhe vetë nëna u sëmur, pasi ishte shtatzënë dhe nuk mundi të kujdesej për fëmijën e saj të sëmurë.
E zhytur nën presion, nëna i dërgoi një mesazh një prej aktivistëve të mediave sociale në Kuds, i cili ia përcjell mesazhin Alyanit. Disa orë më vonë, Alyan ishte në spital me atë aktivist.
“Ne folëm me stafin mjekësor atje dhe ata na sqaruan detajet e situatës në hebraisht. Gjuha është një nga sfidat kryesore për palestinezët që vijnë nga Gaza”, tha Alyan për AA.
Ata i çojnë fëmijët nga barriera ushtarake Beit Hanoun në veri të Gazës në Kuds me makinat e tyre, duke i shoqëruar në spital dhe duke ofruar mbështetje gjatë kimioterapisë dhe trajtimit të tyre kirurgjik.
“Ata që flasin hebraisht qëndrojnë me fëmijët për të kuptuar dhe ndjekur situatën mjekësore për ta dhe për të dhënë këto detaje për familjet e tyre në Gaza”, shtoi ajo.
Alyan theksoi se po përpiqen të ndihmojnë edhe në aspektin social duke mbajtur kontaktin mes vullnetarëve dhe familjeve të fëmijëve dhe duke kryer aktivitete mbështetëse në spital për t’i bërë këta fëmijë të ndihen të sigurt dhe mirë.
“Këta fëmijë janë pjesë e jona dhe rrëfimet e tyre më prekin thellë. Për gjithë jetën time, nuk mund t’i harroj shprehjet e fytyrës së nënës së Mayar kur i thamë se foshnja e saj nuk do ta humbiste syrin”, tha Alyan.
Në bashkëpunim me departamentin e kancerit të spitalit Augusta Victoria, iniciativa kryen aktivitete argëtuese vullnetare shpesh edhe asistencë në sigurimin e furnizimeve akomoduese për fëmijët.
“Kur shoh ndjenjën e sigurisë dhe qetësisë në sytë e këtyre fëmijëve, e kuptoj rëndësinë e asaj që po bëjmë dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ajo.
Top Channel