“I kemi parë të gjitha përveç konfliktit fetar”/ Rama zbulon arsyen: Ia kemi dalë të besojmë në dialogun e sinqertë

15/02/2022 12:34

Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rama u shpreh se ndër vite, Shqipëria i ka parë të gjitha, luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar dhe varfërinë e skajshme.

Ndër të tjera u shpreh se e vetmja gjë që nuk ka përjetuar Shqipëria është konflikti fetar dhe arsyeja për këtë thotë se është  se e kemi mësuar nga përvoja të vëmë të përbashkëtën në vend të parë dhe individualen me pas.

Edi Rama: Në shtegtimin e gjatë derisa gjetëm rrugën tonë i kemi parë të gjitha: luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar, varfërinë e skajshme.

E vetmja gjë që nuk kemi përjetuar – dhe ka një arsye thelbësore për këtë – është konflikti fetar.

Arsyeja është se e kemi mësuar nga përvoja të vëmë të përbashkëtën në vend të parë dhe individualen me pas. Ne ia kemi dalë të besojmë në dialogun e sinqertë ose, për ta thënë më mirë, në “shkrirjen e horizonteve”. Dialogu, për ne, është një mënyrë për të arritur mirëkuptimin e ndërsjellë, respektin dhe pranimin reciprok, pa të cilat paqja do të mbetej një mirazh, një aspirate e pakapshme.

Ne do të mund të luftojmë shkaqet rrënjësore te konfliktit të dhunshëm duke pranuar tjetrin te vetja dhe veten te të tjerët. Në fund të fundit, ne jemi të gjithë një bashkësi e fatit.

E ardhmja jonë në këtë vend të vetëm e unik që quhet tokë është e lidhur tekefundit me aftësinë tonë për të kuptuar e për të mësuar të jetojmë me dallimet tona, me aspiratat e përbashkëta, në paqe dhe dinjitet.

Kjo është detyra që marrim përsipër – ta ruajmë atë horizont të shndritshëm në themelin e punës së Këshillit të Sigurimit.

Ju falemnderit që gjendeni këtu me ne sonte, në këtë takim kaq të veçantë dhe ju falemnderit që i dhatë pak nga dashuria e kësaj ditë sot Shqipërisë.

Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në organin më të fuqishëm të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria ka të drejtën e një vote në vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit.

Shqipëria synon që gjatë mandatit të saj 2-vjeçar të punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon, për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos e lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA