Frika nga pushtimi rus! Sulm kibernetik ndaj Bankave të Ukrainës, bie edhe faqja e Ministrisë së Mbrojtjes

15/02/2022 18:35

Ekspertë të sigurisë së Ukrainës raportojnë se disa nga bankat e vendit kanë rënë pre e një sulmi kibernetik.

PrivatBank dhe Oschadbank janë prekur nga sulmi, ndërsa edhe uebfaqja e Ministrisë së Mbrojtjes së vendit gjithashtu raportohet se ka rënë.

Sulmi vjen mes frikës, se një sulm kibernetik rus mund t’i paraprijë një pushtimi të mundshëm të Ukrainës.

Uebsajtet për Oschadbank dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës nuk funksionuan kur The Mirror u përpoq të hynte në to këtë pasdite.

Qendra për Komunikime Strategjike dhe Siguri të Informacionit të Ukrainës, e njohur si Qendra Stratcom, konfirmoi se aplikacioni PrivatBank nuk funksionon për disa përdorues.

Stratcom, shkroi në Facebook: Gjatë orëve të fundit “PrivatBank” është nën një sulm masiv DdoS. Përdoruesit e Privat24 raportojnë probleme me pagesat dhe në përgjithësi me funksionimin e aplikacionit. Disa përdorues janë plotësisht të paaftë për të hyrë në Privat24, të tjerët nuk pasqyrojnë bilancin dhe transaksionet e fundit. Nuk ka asnjë kërcënim për fondet e investitorëve. Cyberattack lidhet ekskluzivisht me aplikacionin Privat24. Pjesa tjetër e transaksioneve financiare kryhen në mënyrë normale.

Në ‘Oschadbank’ ka gjithashtu probleme, internet banking nuk funksionon. Gjithashtu ka pësuar sulme edhe faqja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Ky sulm vjen në një kohë kur ishte paralajmëruar se para një pushtimi,  Rusia mund të niste si fillim një sulm kibernetik ndaj Ukrainës.

Tensionet midis dy vendeve kanë arritur në kulm ndërsa perspektiva e një pushtimi të plotë po afrohet. Ushtarët rusë testuan sot sistemin raketor OTR-21 Tochka-U pranë kufirit të Ukrainës, si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë.

Ndërkohë, më shumë se 130,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufirin e Ukrainës, ndërsa paralajmërohet se Kremlini do të urdhërojë një sulm në orën 3 të mëngjesit me orën lokale të së mërkurës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA