“15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita kur propaganda perëndimore e luftës, dështoi. Ata u tërpëruan shumë keq dhe u shkatërruan pa asnjë të shtënë nga ana jonë”; ky koment i zëdhënëses së ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, i raportuar nga BBC, po bën xhiron e botës.
Deklaratat që mbërrijnë nga Rusia për një tërheqje të disa trupave në kufi u duk fillimisht sikur ngjallën shpresë, por së fundi, konfuzioni është shtuar. As Ukraina, dhe as vendet perëndimore nuk janë të sigurtë nëse duhet t`i besojnë ose jo.
Sipas CNN, edhe pse ministries ruse mbrojtjes njoftoi kthimin e një pjese të trupave në bazat e tyre, në kufi ka pasur lëvizje e avansim të njësive të tjera, të cilat duket se po i vazhdojnë lojrat e luftës.
E duket se ky ngurrim, nuk ishte i papërligjur: Mediat pro-qeveritare ruse njoftojnë se Duma, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë ka aprovuar projektligjin që parashikon njohjen e republikës së Donbasit, rajoni i Ukrainës Lindore një pjesë e të cilit zihet nga Republika Popullore e vetwshpallur e Donjeckut dhe ajo e Luhanskut, tw kontrolluara nga separatistët pro-rusë.
Kërkesa zyrtare tashmë pritet t`i dërgohet për firmë presidentit Vladimir Putin, me arsyetimin se “Kievi nuk e respekton marrëveshjen e Minskut”, dhe se rusëve që jetojnë atje u nevojitet ndihmë dhe mbështetje. Justifikime të ngjashme u dhanë edhe për popullatën ruse në Krime, përpara aneksimit të gadishullit në 2014-tën.
Moska e ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të sulmojë Ukrainën, por po kërkon garanci ligjërisht të detyrueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja që Kievi nuk do të lejohet të bashkohet me bllokun ushtarak. Uashingtoni dhe Brukseli deri më tani kanë refuzuar të bëjnë premtime të tilla.
Top Channel