CNN: Njësitë ruse në pozicion luftimi, nis avancimi drejt Ukrainës, BBC-Jo, po tërhiqen!

15/02/2022 11:55

Rusia, thotë CBS, ka vendosur në pozicion sulmi mjete artilerie dhe raketahedhëse, çka sipas një zyrtari të lartë amerikan duhet parë si shenjë se Moska po përgatitet të vërë në jetë kërcënimet e saj disa mujore ndaj vendit fqinj.

Disa njësi ruse kanë lënë zonat e tyre të grumbullimit, e dëshmuar kjo dhe nga fotot satelitore, e po zënë pozicione mësymjeje. Një lëvizje e tillë shënon ndryshim të rëndësishëm nga dita e djelë, kur njësitë në fjalë ishin në të njëjtin vend.

CNN po ashtu thotë se disa video që po qarkullojnë në internet, tregojnë sesi njësitë dhe raketat ruse po avancojnë drejt kufirit me Ukrainën, ndërsa janë parë dhe lëvizje të nëndetëseve dhe anijeve amfibe në Detin e Zi. Videot në fjalë janë duke u analizuar nga ekspertët.

Por BBC e paraqet ndryshe lajmin: duke cituar burime të ministrisë ruse të mbrojtjes, gjiganti mediatik anglez thotë se një pjesë e trupave në kufi po kthehen në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjes ushtarake.

SHBA beson se Rusia do ta sulmojë Ukrainën brenda javës, edhe pse nuk është ende e sigurtë se çfarë forme do të ketë sulmi. Në momentet që ai nis, informacionet e Shteteve te Bashkuara mbi manovrat e Moskës, do të reduktohen ndjeshëm.

Amerikanët nuk do të kenë trupa në tokë dhe asnjë avion zbulimi në ajër, ndërsa sulmet kibernetike ruse dhe lufta e tyre elektronike do të bëjnë që komunikimet të fshihen.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia tani ka 80% të forcave që do t’i nevojiten për të nisur një pushtim në shkallë të plotë dhe pjesa tjetër janë rrugës.

Më shumë se 100,000 trupa ruse janë grumbulluar përgjatë kufijve të Ukrainës – në lindje, në Rusi dhe në veri, në Bjellorusi.

Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi në programin “Face the Nation” se tashmë, urdhrin për pushtim, presidenti rus Vladimir Putin mund ta japë praktikisht në “çdo moment”.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA