Për të dytin vit radhazi, Tirana është shpallur skuadra fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një pritje të rezervuar për basketbollistët që sfiduan Vllazninë para ngritjes së trofeut të këtij kompeticioni, u shpreh krenar për ekipin bardheblu.
Veliaj: Jam shumë krenar për ju, jo vetëm për skuadrën që është këtu, por edhe atë të tifozerisë, fanatikët dhe të gjithë ata që japin mbështetje me kaq dashuri, ata që punojnë në prapaskenë, mjekët, drejtorët e klubit. E vlerësoj jashtë mase. Fakti që kemi sjellë një kupë në Tiranë do të thotë se nëse vendos jo vetëm zemrën, por edhe paratë, suksesi është i garantuar. Bëmë mirë që vendosëm financat, jo vetëm për të rregulluar “Fahrie Hotin”, por për t’i dhënë skuadrës tonë të gjitha mjetet.
Kjo tregon edhe faktin se çdo para e investuar në sport prodhon shumëfish, jo vetëm kupën, se patjetër që kjo do jetë në një stendë, por prodhon edhe djem e vajza të rinj që shohin një model në shoqëri. Ajo që po vlerësonim është se, pavarësisht se shumë ekipe të tjera kanë bërë blerje pafund të huaja, ajo që e bën ndryshimin në Tiranë është që ne jemi një familje, jemi çuna e goca të Tironës që jemi rritur këtu. Sigurisht, edhe ne jemi pjesë e botës, por mbi të gjitha ky është një ekip autentik tirons. Për këtë jam shumë mirënjohës dhe ju vlerësoj jashtë mase. Mezi pres të sillni edhe kupën e kampionatit.
Kapiteni Redi Vogli dhe trajneri Erkand Karaj falenderuan kryetarin e Bashkisë për gjithçka po bën për sportin bardheblu, veçanërisht basketbollin.
Top Channel