Ditën simbol të dashurisë, kryetarja e bashkisë së Durrësit ka zgjedhur të vizitojë të moshuarit e Qendrës Ditore të të Moshuarve.
Janë pikërisht gjyshet e gjyshërit tanë që kanë nevojë për sa më shumë përkujdesje e dashuri e që të mos ndihen të vetmuar. Kryebashkiakja Sako ka dëgjuar kërkesat e të moshuarve dhe ka bashkëbiseduar me ta rreth problematikave të ndryshme. Ajo tha se bashkia e Durrësit mbështet jo vetëm moshën e tretë, por edhe shtresa të tjera në nevojë. Në këtë qendër marrin shërbim mbi 100 të moshuar dhe në bashkëbisedimin me ta kryebashkiakja Sako i ka shprehur gatishmërinë për zgjerim të shërbimeve për ta në këto qendra.
Sipas kryebashkiakes, do të ngrihen qendra të tilla edhe në njësitë administrative, në mënyrë që të kenë mundësi që mosha e tretë të kalojë kohën e lirë dhe me përkujdesjen e nevojshme në sajë të shërbimeve që do të zgjerohen për ta.
Qendra Ditore e të Moshuarve ka si qëllim dhënien e shërbimeve sociale për të moshuarit e vetmuar dhe me probleme sociale. Kjo qendër ofron falas për përfituesit e saj, shërbim psiko-social, shërbim shëndetësor, vakte ushqimore, qendër informacioni dhe aktivitete kulturore, psiko-sociale.
Top Channel