Luftë apo dashuri? Si po kalohet Shën Valentini në Ukrainë (Fotot)

14/02/2022 17:58

Ukrainasit po kalojnë një Shën Valentin ndryshe këtë vit, ndërsa agresioni rus sa vjen edhe shtohet më shumë duke rritur frikën e një pushtimi.

Mes përgatitjeve për luftë në zonat në kufi, qytetarët e Kievit po ruajnë qetësinë, pas thirrjeve të shumta të presidentit.

Pavarësisht kërcënimit të një lufte të re me Rusinë, jeta vazhdon normalisht në kryeqytetin e Ukrainës, ndërsa një çift janë celebruar dhe janë parë të realizojnë foto në sheshin pranë një katedraleje në Kiev.

Një pjesë e tyre i ka pushtuar frika, tensioni dhe mendimi për t’u larguar nga Ukraina, edhe në këtë ditë ku duhet të mbizotërojë dashuria dhe jo lufta.

Alban Cali është një nga shqiptarët që ende ndodhet në Ukrainë, por thotë se ka në plan të largohet në ditët në vijim, teksa vendi është çdo ditë e më i rrezikuar nga pushtimi i mundshëm rus. Cali, i cili në Ukrainë punon për një kompani të huaj, tregon se aktualisht situata në qytet është e qetë.

Në vend të trëndafilave dhe dhuratave për të dashurit e tyre, tashmë ukrainasit kanë marrë armët në dorë për të qenë të përgatittur ndaj agresionit rus.

Moska ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit rus me Ukrainën pozicionuar në tre fronte, ku mund të sulmojnë nga momenti në moment.

Gjatë zhvillimeve të fundit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i sugjeroi Presidentit Vladimir Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të marrë garanci nga Perëndimi.

Lavrov i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur propozime konkrete për reduktimin e rreziqeve ushtarake, por tha se përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishin të kënaqshme.

Në një komunikim televiziv, Putini u shfaq duke pyetur Lavrovin nëse kishte një shans për të arritur një marrëveshje për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Rusisë, apo nëse ajo thjesht po futej në negociata të vështira.

Komentet dukej se sinjalizonin një mundësi të reduktuar të një aksioni të afërt ushtarak rus pas paralajmërimeve të përsëritura nga Shtetet e Bashkuara se Rusia mund të sulmonte Ukrainën në çdo kohë.

Lavrov tha se kishte marrë përgjigje “të pakënaqshme” për një letër që ai u dërgoi dhjetëra anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për çështjen e “sigurisë së pandashme” – një referencë për ankesën e Rusisë se Ukraina dhe vendet perëndimore po forcojnë sigurinë e tyre në kurriz të Rusisë dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA