Hapet ura që lidh SHBA-në me Kanadanë, policia largon me forcë protestuesit

14/02/2022 16:54

Kalimi më i ngarkuar kufitar mes SHBA-së dhe Kanadasë u rihape mbrëmjen e së djelës, pas ndërhyrjes së ashpër të policisë që largoi protestuesit kundër kufizimeve të pandemisë, të cilët e kishin mbajtur të bllokuar prej një jave urën e rëndësishme Ambasador.

Kompania që e ka atë në pronësi, Detroit International Bridge Co, pohoi se ura është hapur tashmë plotësisht duke lejuar sërish fluksin tregtar mes të dy vendeve.

Policia kanadeze njoftoi se dhjetëra vetë ishin arrestuar, ndërsa forcat vendase të rendit kanë shtuar ndjeshëm praninë në zonë duke dërguar atje më shumë se 50 makina, përfshirë dhe autoblinda..

Llogaritet që përmes urës Ambasador kalon 25% e të gjithë tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Autoritetet kishin arritur t`i bindnin të shtunën një pjesë të demonstruesve të lëviznin kamionët e tyre që bllokonin kalimin. megjithatë, disa të tjerë kishin vazhduar të qëndronin në urë duke sfiduar thirrjet për largim.

Nga ana tjetër, protestat në Otavë vazhdojnë të mbajnë të paralizuar qendrën e qytetit, ndërsa mjaft banorë ankohen se kjo bllokadë u ka vështirësuar lëvizjen dhe e kanë rritur presionin mbi kryeministrin Justin Trudeau, i cili kryesoi një mbledhje të kabinetit të dielën vonë.

Protestat e kamionistëve kanadeze patën jehonë në mbarë botën e frymëzuan lëvizje të ngjashme në Francë, Zelandën e Re dhe Holandë, ndërsa Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se autokolona të ngjashme mund të shihen shumë shpejt edhe në qytetet amerikane.

Top Channel