Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit/ Veliaj prezantoi kandidatët e PS-së për kryetar Bashkie në Rrogozhinë e Vorë

13/02/2022 20:11

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot kandidatët socialistë për kryetar Bashkie në Rrogozhinë dhe Vorë për zgjedhjet e 6 Marsit.

Duke iu drejtuar në veçanti demokratëve, në Rrogozhinë Veliaj u kërkoi të votojnë kandidatin Edison Memolla, pasi alternativa e kampit tjetër, tha ai, është Ilir Meta dhe Sali Berisha, që po përpiqen të shpëtojnë lëkurën e tyre.

Situata te Luli është serioze, po aspak dramatike. Jeta do vazhdojë. Situata te Saliu dhe te Iliri është dramatike, por nuk është aspak serioze. Mjafton të shikoni videot e tyre. E patë videon e kandidatit të Saliut? Dyst komplet, llucë që në 7 të mëngjesit. Në Rrogozhinë nuk na duhet një pijanec, por një punëtor si Edison Memolla. Ndaj, kush i thotë vetes demokrat dhe e jep votën për koalicionin e sherrit, ta dijë se Ilir Meta dhe Sali Berisha duan të shpëtojnë lëkurën e tyre, duan të shpëtojnë pasurinë e tyre, duan të shpëtojnë milionat e tyre. Nuk e kanë fare hallin te populli, se ndryshe do e kishit parë këtej rrotull. Saliu kishte 8 vite pa ardhur në Rrogozhinë, kujtoni se tani e mori malli për Rrogozhinën? I duhen votat, që të vazhdojë sherrin me Lulin”, theksoi Veliaj.

Ndërsa në Vorë, ku prezantoi Blerim Sheran, Veliaj tha:

Ata e duan votën për sherre dhe thonë: ‘Ma jepni votën, që t’ia fus Saliut’. Saliu thotë: ‘Ma jepni votën që t’ia fus Lulit’. Por, vota është kontratë, nuk është levë për sherr, nuk është shul, nuk është bravë. Vota është kontratë! Unë do lidh një kontratë me ata që do më shërbejnë, me ata që do më bëjnë investimet, me ata që kanë akses te qeveria, me ata që kanë mundësi të çojnë përpara këto projekte, me ata që mund të mbarojnë procesin e vaksinimit, me ata që mund të mbarojnë shkollat, me ata që mund të mbarojnë rrugët, me ata që mund të mbarojnë ujësjellësit, më ata që mund të mbarojnë pallatet, me ata që mund të mbarojnë shtëpitë. Vota është armë, por arma jote jo për sherr”, pohoi Veliaj.

Veliaj tha në fund se Partia Socialiste është aty për njerëzit, edhe kur mbarojnë zgjedhjet.

Top Channel