Pas procesit të parë hetimor maratonë që zgjati 22 orë, dy pronarët e një azili pleqsh në Hania të Kretës dhe dy mjekë, janë burgosur mëngjesin e së dielës për të ashtuquajturin “skandalin mesjetar “në një institucion kujdesi për të moshuarit që ishte kthyer në një burg torturash dhe vdekjesh për dhjetëra vetë.

Janë të paktën 7 persona që akuzohen nga 37 të punësuarit atje, që po merren në pyetje lidhur me akuzat për abuzimin e pronarëve, por edhe të personelit mjekësor në azilin e pleqve dhe tashmë organet greke po hetojnë për të paktën 30 vdekje nga 293 që kanë ndodhur, prej vitit 2015 si dhe për 8 tentativa vrasjeje.

Mësohet se policia ka gjetur prova për disa miliona euro në testamentet e të moshuarve që kanë ndërruar jetë dhe sipas akuzave për 12 vjet të akuzuarit nuk kanë hezituar të çojnë drejt vdekjes të moshuarit që ndodheshin në këtë njësi përkujdesjeje me qëllim tu rrëmbenin paratë.

Nga hetimet policore ka rezultuar se të akuzuarit kanë shkuar deri aty sa nuk i ushqenin të moshuarit, i linin pa bukë, ose ua jepnin shpejt deri sa shpeshherë i çonin drejt mbytjes. Gjithashtu personeli rrallë u lante rrobat dhe kujdesi për çështjet e higjienës dhe pastërtisë mungonte thuajse çdo ditë.

Shpesh herë për njëzet e katër orë i lidhnin të moshuarit në karrige me rrota ose në shtretërit e tyre, u jepnin qetësues të fortë në mënyrë që të mos kishin kontakt me mjedisin . Me gjithë këto makthe ka dëshmi se pleqtë e këtij azili kanë qenë viktima të dhunës fizike nga vetë punonjësit.

Ndërsa personi “kyç” ka rezultuar të jetë mjeku që ka firmosur certifikatat e vdekjes me të njëjtën arsye – atak në zemër. Policia vlerëson se ky rrjet ka qarkulluar gjithashtu receta me ilaçe me vlere mbi 3 milion euro, ndërsa pas kontrolleve të shtëpive të të arrestuarve janë gjetur shuma parash dhe unaza floriri që nuk përjashtohet tu përkisnin të moshuarve.

Shtatë të akuzuarit ,midis tyre nënë e bijë pronare të azilit përballojnë akuzat e krijimit dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale dhe vrasjes me dashje në mënyrë të përsëritur. Skandali ka filluar të zbulohet prillin e kaluar, pas ankesave të disa ish-punonjësve, ndërkohë që filluan hetimet dhe u urdhërua madje edhe zhvarrosja e të moshuarve të vdekur.

Top Channel