I dërguari Top Channel në Ukrainë gazetari, Muhamed Veliu bashkë me operatorin Besfort Kryeziu pak përpara largimit nga Kievi për edicionin e lajmeve të orës 12:00 sollën këtë raportim për situatën në aeroport.

Kievin e ka pushtuar një stuhi e lehtë dëbore pas një nate me paralajmërime shqetësuese për nisjen e luftës.

Gjithçka i ngjan një qetësie përpara furtunës.

Për SHBA të sulmuarit e Ukrainës nga Rusia mund të ndodh çdo moment.

Shumë vende të botës kanë lëshuar alarmin për nevojën urgjente të largimit nga Ukraina të qytetarëve të tyre.

Pavarsisht këtyre kërkesave, thotë gazetari Muhamed Veliu, aeroporti Kievit ketë të shtunë është në një ditë normale pune.

Nuk ka dyndje njerëzish për tu larguar apo skena të ngjashme me ato që pamë kur Talebanët morën nën kontroll Kabulin.

Paralajmërimet e forta për tu larguar nga Ukraina synojnë shmangien e asaj që ndodhi në Afganistan me evakuimin e shtetasve amerikanë dhe prej vende të tjera rë botës.

Ndërkohë deklaratat plot shqetësim të SHBA dhe BE për nisjen e luftës nga momenti në moment nuk janë mirëpritur në Ukrainë.

Iryna Matviuishyn përmes një mesazhi në Twitter thotë:

Për të gjithë ekspertët e çështjeve ruso-ukrainase, me burime amerikane të inteligjencës të ulur të sigurtë diku në perëndim. Mendoni dy herë mbase duhet të prisni për me shumë kthjelltësi përpara se flisni. Nuk është çështja e ripublikimit të asaj çfarë thoni por janë jetët tona në Ukrainë“.

Lajmi për një sulm të menjëhershëm rus është komentuar edhe nga një ushtarak ukrainas në front.

Ai shprehet për një televizion të Kievit se:”Ajo çfarë politikanët thonë është njëra gjë, por ajo që unë shoh në vijën e frontit është diçka tjetër” ka thënë ai, duke theksuar se “Nëse unë nuk jam i panikosur, atëherë as ju nuk duhet të panikoseni”.

Ky qëndrim është kontradiktor me ato të CIA-s përcjellë presidentit Biden, megjithatë gjatë të gjithë këtyre javëve të fundit situata ka prodhuar hamendësi dhe pikëpamje kontradiktore për konfliktin ruso-ukrainas.

Në këtë raportim të fundit nga Ukraina pak përpara kthimit në Tiranë, gazetari Muhamed Veliu theksoi:

Çdo ditë që kalon i shton skenarët e mundshëm të një sulmi Rus, që nga ai masiv deri të një sulm i pjesshëm rajonal në Ukrainë. Ukrainasit e dinë fare mirë se çfarë është në gjendje të bëjë putra ushtarake e Moskës dhe janë të vendosur të rezistojë në mbrojte të atdheut të tyre”.

Nga aeroporti Kievit për Top Channel, Muhamed Veliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA