Shqipëria nuk ka mjaftueshëm kapacitet akomoduese. Sipas Institutit të Statistikave vendi ynë ofron 95 mijë shtretër për mesatarisht 3 milionë turistë që ne presim çdo vit.
Në muajt e sezonit vendi përfundon në kaos, me qytetarët që detyrohen të paguajnë çmime marramendëse për të gjetur një dhomë, që shpesh nuk plotëson as standardet.
“Sot që flasim Shqipëria ka 1/3 e hoteleve që ka Mali i Zi. Pavarësisht ndërtimeve kemi 30% të bregdetit të zënë. Ka akoma hapësira pafund për të zhvilluar zona të tilla. Shqipërisë i mungojnë kapacitetet akomoduese cilësore, hotele dhe resorte mbi 250 shtretër për të krijuar sigurinë për një turizëm të vazhdueshëm.”
Sipas shifrave, shumica e ndërtimeve vazhdojnë të bëhen në bregdet, ndërsa turizmi i natyrës dhe ai kulturor vazhdojnë të ngelen mbrapa. Qeveria ka marrë iniciativa për nxitjen e sektorit, duke u dhënë status si investitor strategjik ndërtuesve të hoteleve dhe resorteve, por sipas ekspertit të turizmit, Zak Topuzi kjo u keqpërdor për të shmangur taksat
“Para tre-katër vitesh qeveria përdori një paketë që lidhej me investime strategjike në turizëm, por kjo u shfrytëzua nga kullat që ishin në Tiranë të bëheshin pjesërisht edhe hotele”.
Edhe pse në 2015-ën Shqipëria ka miratuar një ligj për të vlerësuar yjet e hoteleve, duket se kjo nuk ka dhënë efekt, në kushtet kur vazhdojmë të tërheqim turistë të varfër, që sipas një raporti të BE harxhojnë mesatarisht 380 dollarë në vendin tonë, ndër të fundit në rajon.
Top Channel