Sekretari për Decentralizimin dhe Pushtetin Vendor në PD, Roland Bejko të shtunën ka deklaruar se ka filluar rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale dhe sipas tij demokratët kanë filluar konsultimet me ekspertët më të mirë të fushës për ta sjellë pushtetin vendor në shërbim të qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Bejko tha se Pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore.
Sipas tij, kjo reformë në zanafillën e vet synoi thellimin e decentralizimit, por koha tregoi se e thelloi edhe më shumë centralizimin, duke rritur varësinë dhe kontrollin e pushtetit vendor nga qeveria qëndrore.
Ai theksoi se reforma synoi edhe subsidaritetin, por e largoi edhe më shumë qytetarin nga pushteti dhe vendimmarrja.
“Synoi vetëqeverisje lokale. Por, kryetarët e bashkive, nga njëra anë kanë më shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër, kanë më pak kompetenca. (Për shërbimet e deleguara, vendosin ministritë) Synoi decentralizimin fiskal. Por legjislacioni i ri (konkretisht Ligji “Për Financat Vendore” dhe Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”) nuk është harmonizuar me ligje te tjera ne vazhdim. Legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive që ishte thelbi i decentralizimit. Niveli është pak a shumë i njëjtë si para reformës territoriale- administrative, pra nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1% e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal”, theksoi Bejko.
Për të, reforma fillimisht synoi edhe simetrinë e ndarjes së territorit, por nuk prodhoi tjetër veçse asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive. Duke krijuar, sipas tij, në veri amalgamim dhe në jug fragmentarizim. Ai thekson se gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të kryeministrit Rama dhe partisë së tij.
“U shkelën detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative te zonave, etj. Synoi demokraci lokale, transparencë, referendume etj. Por, i ka penguar me ligj referendumet lokale. Kjo është shkelje e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore”, deklaroi Bejko.
Për të, shkrirja e komunave do të sillte ulje të shpenzimeve, duke reduktuar numrin e punonjësve, por ku veprim, e çoi numrin e tyre në gati 60 mijë, nga 22 mijë që ishte në 2015. Ai ndan bindjen se numri i lartë i punonjësve e rëndon buxhetin e bashkive, ndërsa thekson se gati 65-70% e grantit shkon për paga e shpenzime dhe vetëm rreth 30% për investime. Ai thotë se reforma rriti kosoton për qytetarët, por jo cilësinë e shërbimeve.
“Me bashkitë e mëdha synoi zhvillim ekonomik, bujqësor, barazi dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve ne qytet, deri ne zonat me te thella të territorit të saj. Por, në fakt, pushteti vendor e ka përqendruar gjithë vëmendjen e saj kryesisht në qendra qytetesh. Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët e zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore”, tregoi ai.
Bejko mendon se për shkak të këtyre politikave të gabuara është nxitur braktisja e fshatit, por edhe të ish-periferive urbane me industri të falimentuar.
Kujtojmë se pas kërkesës së shtatë deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare të datës 10 shkurt 2022, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale me një mandat gjashtë mujor të veprimtarisë së tij me objekt rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale të miratuar më 2014-ën në mënyrë të njëanshme nga koalicioni PS-LSI.
Top Channel