PD thirrje SPAK për të hetuar, Koduzi: Miliona euro tendera sekretë e prokurime korruptive për përballimin e COVID-19

12/02/2022 11:49

Partia Demokratike të shtunën paradite ka denoncuar Ministrinë e Shëndetësisë për korrupsion me tenderat e pandemisë, duke theksuar se sipas një raporti të publikuar nga Organizata Together for Life, bëhet me dije se mbi 55% e tenderave të zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021, kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë.

Në një deklaratë për mediat, Gazmend Koduzi i bën thirrje SPAK të hetojë tenderët korruptiv të Qeverisë të cilat sipas tij po pamundësojnë gjithnjë e më shumë shërbimin ndaj qytetarëve dhe po i varfërojnë ata.

Ai tregon se edhe aty ku u përdor një garë e hapur, ajo nuk ishte reale, pasi kriteret u përpiluan për të favorizuar kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor.

Që nga fillimi i pandemisë autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro. Gjysma e tyre, u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan në fondin limit. Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime me materiale, që kishin lidhje me pandeminë, nga të cilat 11 kompani, ishin sekrete, procedurë e cila i mundëson qeverisë të mos bëjë transparencë e parave e të fshehë abuzimin”, tha Koduzi.

Sipas tij, në raport veçohet prokurimi i drejtpërdrejtë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë.

Abuzimi me tenderët e shëndetësisë paraqitet edhe në raportin e Transparency International ku theksohet se qeveria ka përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacion për shpenzimet publike e po kështu edhe FMN-në thotë se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente”, tregoi ai.

Për të, korrupsioni dhe abuzimi me tenderët, ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për institucionet ndërkombëtare.

Gjykata Europiane e Auditit ka theksuar se në Shqipëri 30% e tenderëve publikë janë të paracaktuara. Ne i bëjmë thirrje SPAK të hetojë tenderët korruptiv të qeverisë të cilat po pamundësojnë gjithnjë e më shumë shërbimin ndaj qytetarëve dhe po i varfërojnë ata”, tha Koduzi.

Top Channel