Shtetasit britanikë që zgjedhin të qëndrojnë në Ukrainë nuk duhet të presin një evakuim ushtarak nëse shpërthen konflikti me Rusinë, tha të shtunën për Sky News Ministri i Mbrojtjes, James Heappey.
“Shtetasit britanikë duhet të largohen menjëherë nga Ukraina me çdo mjet të mundshëm dhe nuk duhet të presin, siç e panë në verë me Afganistanin, se do të kishte ndonjë mundësi për një evakuim ushtarak”, tha ai.
Të premten (11 shkurt), qeveria e Mbretërisë së Bashkuar këshilloi shtetasit britanikë që të largoheshin nga Ukraina tani derisa mjetet e transportit janë ende në dispozicion dhe këshilloi kundër çdo udhëtimi të mëtejshëm atje.
Heappey tha se nuk është marrë ende asnjë vendim për praninë diplomatike të Britanisë në Ukrainë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha të premten se trupat britanike të dërguara në Ukrainë për qëllime stërvitore do të kthehen së shpejti.
“Nuk do të ketë trupa britanike në Ukrainë nëse ka ndonjë konflikt me Rusinë,” tha Heappey.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të flisnin të shtunën ndërsa vendet perëndimore paralajmëruan se një luftë në Ukrainë mund të ndizet në çdo moment.
Top Channel