Projekti i Portit të Durrësit/ Xhaferraj interpelancë me Ballukun: Investimi nga kompani offshore! Ministrja: Po abuzoni

10/02/2022 10:45

Deputeti Ferdinand Xhaferraj ka kërkuar një interpelancë për ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për projektin e ndërtimit të Portit të Durrësit, ku ai hedh akuza se kompania investiture nuk është Emaar Group, por një kompani offshore.

Sipas tij, projekti është marrë nga një kompani offshore, ndërsa kostoja e investimit mund të shkojë deri 60 milionë euro dhe jo 2 miliardë euro sa ka ofruar Emaar Group.

“Punimet nuk kanë filluar ende.  Porti i Durrësit nuk është nga kompania investitore Emmar Group, por është kompania offshore e quajtur Symphony. Projekti i Portit të Durrësit  aferë e madhe korruptive”, tha Xhaferraj.

Por ministrja Balluku ka sqaruar hap pas hapi të gjitha procedurat e realizuara, duke theksuar se çdo gjë është ligjore dhe se investimi vjen prej “Symphony” pronë e Mohamed El Alabbar.

“Do sqaroj një tymnajë të madhe, ishte një plan në vitin 2016, plan i përgjithshëm kombëtar, ekziston një plan i integruar i brezit detar edhe ky po i vitit 2016. Për ata që kanë qenë mollë të ndaluara ne kemi bërë një garë. Më datë 13.12. 2022 Emmar i është drejtuar me një letër Ministres Balluku, ku ai shprehte vullnetin për të investuar në Portin e Durrësit. Letra i është përcjellë AIDA-s në kompetencë. Symphony është investitor strategjik. Të thoni që s’ka transparencë është abuzim nga ana e juve. Investimi vjen prej Symphony pronë e Mohamed El Alabbar”, tha Balluku.

Xhaferraj mori sërish fjalën, duke hedhur akuza se projekti nuk ka për qëllim zhvillimin e portit, por për të ndërtuar kompleks luksoz për një grusht njerëzish.

“Ministrja e nisi me Emmar dhe investimet në Mal të Zi, po me Serbinë pse nuk i përmendi? Peshkaqeni qeveritar po bën aferën më të madhe korruptive dhe do e shpjegoj me fakte. Citohet se kjo marrëveshje nuk i nënshtrohet asnjë procedure të prokurorimit. Nuk i është nënshtruar tenderit publik, procedurës konkurruese. Projekti është përpiluar për të shmangur transparencën. Projekti nuk ka për qëllim zhvillimin e projektit por për të ndërtuar kompleks luksoz për një grusht njerëzish. Simfoni, kompani offshore që shërbeu si mbulim për Emaar. Godina është hallka e parë e vjedhjes së pronës më me vlerë të durrsakëve. 2 mld investim,për një vit një tabelë kanë vendosur. Kam investiguar dhe 50, 60 mln euro investime duhen për porte të madhësive të njëjta me atë të Durrësit “, tha Xhaferraj.

Ai nuk i kurseu as ironitë ndaj ministres, ndërsa ajo ishte në vendin e saj.

“Ngrije kokën e di që je në siklet por s’të ndihmoj dot”, i tha Xhaferraj me ironi ministres.

Ndërsa mori sërish fjalën e saj, Balluku hodhi akuza personale ndaj deputetit, pas ironisë së tij.

“Po bëni një tymnajë për të mbuluar gjithë zullumet tuaj, ju doni ta mbani ashtu , unë nuk kam as djalë që shet e blen prona. Gjeni akuza të tjera se ajo ju ka rënë me kohë”, mbylli fjalën Balluku.

Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe parashikon transformimin e porit të Durrësit në zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet.

Ndërkohë që për transportin e mallrave qeveria parashikon ndërtimin e  një porti të ri në Porto Romano.

Projekti parashikon edhe një mori investimesh transformuese, përgjatë të gjithë perimetrit përpara portit.

Kompania e Emirateve të Bashkuara EMAAR Group me president Muhammed El Alabbar synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.

Pranvera e vitit 2022 do të shënojë nisjen e punimeve për portin e ri turistik të Durrësit.

Në vigjilje te ndërrimit të viteve kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi i kompanisë globale Emaar Group, Mohamed El Alabbar, ishin në qytetin bregdetar në kuadër të përgatitjeve për pastrimin e zonës.

Top Channel