Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte pasdite është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për të dëshmuar lidhur me dosjen e “Toyota Yaris”.

Burime për gazetaren Anila Hoxha thanë se letër-porosia ka ardhur për Gjykatën e Posaçme nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Laurence Heusghem, i cili i kërkon prokurorisë të pyesë kryedemokratin Basha në lidhje me një deklaratë për Toyota Yaris,  në të cilën u bllokuan 3.4 milionë euro.

Në kronikën e transmetuar ekskluzivisht nga Top Channel në datën 11 qershor 2019, thuhet se gjyqtari paraprak belg Laurence Heusghem i kërkoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda të pyesin në cilësinë e dëshmitarit kryedemokratin Lulzim Basha, në lidhje me një deklaratë të tij të gati një viti më parë, dy ditë përpara se autoritetet shqiptare të bllokonin automjetin Toyota Yaris në të cilin u sekuestruan 3.4 milionë euro.

Autoritetet belge të cilat gjithashtu po zhvillojnë hetime për Toyota Yaris i kërkojnë prokurorëve Doloresa Musabelliu dhe Eneid Nakuci t’i drejtojnë kryedemokratit tre pyetje, në të cilat kërkohet përgjigje; se si u informua për praninë e vlerave monetare, cilat janë këto informacione ekzaktësisht dhe kush ja ka dhënë këto informacione atij?

Heusghem kërkon të dijë nëse ekziston një dosje me dëshminë e Lulzim Bashës dhe nëse do t’i vendoset në dispozicion një kopje.

Kujtojmë se kreu i PD-së, Lulzim Basha është pyetur edhe më parë në lidhje me këto rrethana nga Prokuroria e kryeqytetit dhe kjo dëshmi është tërhequr nga prokurorët e krimeve të rënda, të cilët ende nuk kanë vendosur nëse do t’i marrin si të mirëqena deklaratat e tetorit të 2018-ës apo do ta ripyesin sërisht si dëshmitar.

Nga ana tjetër, burime pranë Partisë Demokratike, bëjnë me dije se Lulzim Basha ka shprehur gatishmërinë e plotë për të kontribuar në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për dosjen e njohur si Toyota Yaris, për të ndihmuar sipas tij në zbardhjen e lidhjeve kriminalo politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve të lartë të pushtetit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë debatit këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë me kryedemokratin Lulzim Basha, i ka kujtuar këtij të fundit çështjen “Toyota Yaris”.

Prokurorët belgë ndodhen në Tiranë dhe do të të marrin në pyetje”, tha Manja, drejtuar Bashës.

Kreu i PD-së nga ana tjetër u kundërpërgjigj me ironi duke i thënë Manjës “që të çojë cigare dy shokëve të tij në burgun 313, Kokës dhe Tahirit”.

Sa u përket hetimeve, Gjykata e Tiranës më 19 tetor ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin. Kjo për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”. Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika. Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje.

Fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal. Por, Gjykata e ka dënuar Vladin, duke e shpallur dhe fajtor për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi ose sendeve me vlerë”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të dënohet me vetëm një vit burg.

Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.

Në qershor të vitit 2018, policia gjeti dhe sekuestroi dy makinat, ku u gjend dhe shuma e parave.

Kjo çështje ka trazuar dhe politikën në atë kohë. Kreu i demokratëve Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaronte për miliona euro të krimit, që po vinin në Shqipëri përmes automjeteve “Toyota”.

Tre ditë pas deklaratës së Bashës – në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre.

3 persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat.

Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo arrestoi dhe nxori masa sigurie për gjashtë persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Por, më pas, Prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufij për të gjithë personat.

Në fakt dosja e Toyota Yaris ishte objekt hetimi në katër shtete, mes të cilave edhe në Britaninë e Madhe, përsa kohë njëri nga të dyshuarit rezultoi të ketë qenë i dyshuar për trafik kokaine.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA