Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pohoi se gjatë muajve të dimrit, Kosova ka importuar 40 për qind të energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta sesa zakonisht. Kurti tha se në “kriza energjetike, sikurse në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale”.

“Në përballjen me kriza nuk mund të kërkohet një situatë si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për kapercimin sa më të shpejtë të ngërcit për sa më shumë prej jush”, ka qenë komenti i tij. Kurti theksoi se çmimet e importit të energjisë nuk pritet të ulen, ndaj ka bërë thirrje për përdorim racional.

Këto komente, ai i bëri pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë miratoi tarifat e reja për energji elektrike. Tashmë, rritjen e cmimit në fatura do ta vënë re konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj. Kurti sqaroi se Qeveria e ka rritur shumën e subvencioneve në 100 milionë euro për të lehtësuar situatën.

Sipas tij, subvencionimi i plotë i importit të energjisë është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit. Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Top Channel